Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë

Ambasadori britanik: Parashkrimi i rasteve në gjykatë, strategji e qëllimshme

Pas reagimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, rreth mënyrës së si gjykata në Prishtinë e ka menaxhuar rastin në një tender 6 milionësh në KEK, edhe kolegu i tij britanik Ruairi O’Connell, nuk ka qëndruar anash.

Duke e shpërndarë deklaratën e Kosnett në Facebook, O’Connell ka komentuar se parashkrimi i rasteve në gjykatë po i lë kriminelët “të ecin të lirë”.

“Ta bësh gabimin e njëjtë një herë apo dy herë mund të jetë për shkak të jokompetencës apo mungesës së përvojës. Trajnimet do të ndihmonin për ta zgjidhur këtë. Por Kosova ka pasur trajnime me vite. Në vend të kësaj, bërja e të njëjtit ‘gabim’ çdoherë duket si strategji e qëllimshme për t’i lënë kriminelët të ecin të lirë. Dështimi i Kosovës për ta luftuar krimin po na dhemb të gjithë neve; paj, të gjithëve përveç kriminelëve dhe miqve të tyre”, tha Ruairi O’Connell.

Më herët, Ambasadori Kosnett kritikoi Gjykatën Themelore të Prishtinës për mënyrën se si e ka menaxhuar procesin gjyqësor në rastin e një tenderi 6 milionësh në KEK.

Të gjithë të akuzuarit në këtë rast, përfshirë edhe ish-drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, dhe ish-kryetarin e komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, janë liruar nga akuzat ndërsa dy nga të akuzuarit kanë përfituar nga vjetërsia e lëndës.

https://kallxo.com/dy-te-akuzuarve-u-parashkruhet-lenda-ne-gjykimin-per-tenderin-6-milionesh-te-kek-ut/

Por ambasadori Kosnett ka thënë se gjykata duhet t’i dëgjojë rastet me kohë në mënyrë që të shmanget parashkrimi i akuzave.

“Gjykata Themelore e Prishtinës së fundmi ka liruar disa të akuzuar në rastin e korrupsionit në KEK, duke u arsyetuar në parashkrimin e akuzave. Gjykata duhet t’i dëgjojë rastet në kohë të duhur. Drejtësia nuk mund të bëhet kur rastet dëgjohen PARA se të skadojë afati i parashkrimit”, ka thënë Kosnett në një postim në Twitter.

https://kallxo.com/ambasadori-amerikan-kritikon-gjykaten-ne-rastin-e-korrupsionit-ne-kek/

Reagimi i ambasadorit Kosnett vjen një ditë pasi BIRN dhe Interneës Kosova publikuan raportin vjetor të monitorimit të sistemit të drejtësisë në të cilin gjithashtu kritikohet përsëritja e shpeshtë e rasteve të parashkrimit të akuzave në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë duke përfshirë edhe rastin e tenderit në KEK.

Kryetar i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Beqir Kalludra ndërsa anëtarë kanë qenë Shadije Gërguri dhe Shasivar Hoti, ndërsa prokurore ka qenë Florije Shamolli.

Kjo lëndë fillimisht ishte në përgjegjësinë e EULEX-it por më pas u transferua te gjykatësit e prokurorët vendorë për shkak të përfundimit të mandatit të këtij misioni.