Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

Ambasadori Amerikan kundër Ramush Haradinajt dhe Enver Hoxhajt, përkrah KShC-në

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për të mos i akredituar tre universitete publike në Kosovë.

Kosnett nëpërmjet një shkrimi në Twitter ka thënë një  vendim i tillë ishte i vështirë por i drejtë.

“Universitetet ekzistojnë për të edukuar studentët për përfitimin e tyre dhe atë të shoqërisë e jo për  të ofruar vende pune për individë të pakualifikuar. Vendi ka nevojë për një sistem arsimi të bazuar në meritë për të gjithë”, ka shkruar Kosnett.

Kossnet i është referuar edhe presionit publik që Kryeministri i Kosovës i ka bërë Agjencisë së Akreditimit pas këtij vendimi duke i quajtur “mafia”.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës njëherazi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj kishte thënë se vendimi ishte i nxituar.

Ambasadori ka pyetur pse po bëhet  ndërhyrje politike në Agjencinë e Akreditimit, ndërsa ka thënë se roli i këtyre të fundit është që të marrë vendime objektive dhe të bazuara në standarde.

KALLXO.com me 15 korrik kishte monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën u votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, duke e cilësuar si vendim të papranueshëm.

Pas dështimit të Komisionit parlamentar për Arsim, deputetët e opozitës kërkuan sqarime të mbështetura në dëshmi rreth deklaratave abuzuese të qeveritarëve, ndaj bordit të KShC-së.

Universitetet e diskredituara edhe para humbjes së akreditimit