Ambasadori Amerikan e quan ofendim për qytetarët emërimin e të dënuarit për korrupsion në ministri

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett ka reaguar ndaj emërimit të Lulzim Kadriu, në pozitën e drejtorit të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Kjo pasi që, Lulzim Kadriu ishte dënuar për korrupsion nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në kohën sa ka qenë drejtor në Komunën e Skenderajt, dënim i cili i ishte vërtetuar edhe nga ana e Gjykatës së Apelit.

Ambasadori Kosnett përmes një publikimi në Twitter e ka quajtur ofendim për qytetarët e Kosovës, emërimin e Lulzim Kadriut në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

“Në kategorinë e ‘emërimeve tjera të pakualifikuara”, Ministria e Inovacionit kohë më parë e emëroi si drejtor ligjor një person të dënuar nën akuzën për korrupsion, dënim i cili i ishte vërtetuar në Apel. Ofendim për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ambasadori amerikan Kosnett.

Sipas Ambasadorit, Kosova ka sukses kur respektohet sundimi i ligjit.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me 30 prill 2019 kishte lëshuar njoftimin për kandidatin e suksesshëm për pozitën Drejtor i Departamentit Ligjor.

Sipas njoftimit, kandidati i suksesshëm ishte Lulzim Kadriu me 88.3 pikë totale të fituara.

Foto: Lulzim Kadriu-Facebook