Philip S. Kosnett - Ambasadori i SHBA-se ne Kosove

Ambasada e SHBA-ve përgëzon PZAP për vendimin për të certifikuar të gjithë kandidatët

Ambasada e SHBA-ve ka mirëpritur vendimin e PZAP për certifikimin  e kandidatëve të Listës Serbe.

Në një komunikatë për media, ambasada e SHBA-ve ka thënë që edhe KQZ-ja ka bërë veprim të duhur duke konfirmuar vendimin e PZAP.

“Ambasada e SHBA-ve përgëzon Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për vendimin për të certifikuar të gjithë kandidatët e kualifikuar për zgjedhjet e 19 majit për kryetarë komunash në katër komunat veriore, dhe lëvdon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për veprimin e shpejtë në konfirmimin e vendimit të PZAP-it dhe procedimin me aktivitete që lidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje në këtë komunikatë ambasada bënë thirrje që KQZ-ja të qëndroj jopartike dhe e kompletuar.

“ Një KQZ jopartiake dhe e kompletuar me anëtarë është qenësore për rregullimin dhe monitorimin efektiv të zgjedhjeve të cilat janë element themeltar i demokracisë së Kosovës. Pas zgjedhjeve për kryetarë komunash, kandidatët fitues duhet të përmbushin mandatet e tyre duke punuar brenda institucioneve të Kosovës në emër të zgjedhësve të tyre”, theksohet në Komunikatë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dje  ka aprovuar pjesërisht ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për moscertifikimin e kandidateve të Listës Serbe për zgjedhjet në 4 komunat veriore.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, KQZ urdhërohet për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe.