Ambasada amerikane kërkon nga Thaçi ta zhbllokojë KQZ-në

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë(ShBA) i ka bërë thirrje Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të bëjë emërimin e përfaqësuesve të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve(KQZ).

Përmes një deklarate për media, ambasada e ShBA-ve në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me vonesën prej më shumë se një viti, të emërimit të dhjetë përfaqësuesve në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).

“Dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore; më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës. Ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike.”, thuhet në deklaratë.

Tutje është kërkuar nga presidenti Thaçi që ‘menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ për t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës’.