Librat e dhuruar nga amabasada | Foto: KALLXO.com

Ambasada amerikane i dhuron 560 libra Departamentit të Gazetarisë

Në Ditën e Lirisë së Shtypit nga Ambasada amerikane një donacion prej 560 librash i është dhuruar Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Shumica e këtyre librave janë përkthime në gjuhën shqipe, por ka edhe libra në gjuhën angleze që mund t’i përdorin studentët e gazetarisë.

Remzie Shahini- Hoxhaj, drejtoreshë e Institutit të Mediave në Departamentin e Gazetarisë, tha se sot është ditë me rëndësi për lirinë e mediave.

“Sot ne po e shënojmë këtë ditë në këtë mënyrë me të vetmin qëllim që në këtë mënyrë të promovojmë diturinë, që para së gjithash, është shumë e rëndësishme në çështjen e lirisë së shprehjes”, tha ajo.

Shahini-Hoxhaj theksoi se ka ende vende në botë ku puna e gazetarëve është shumë e vështirë.

“Ka ende vende ku liria e shprehjes është ende e panjohur për njerëzit. Ka vende ku gazetarët përkundër që e humbin jetën, përkundër asaj që e dinë se është një profesion shumë i vështirë për t’u ushtruar vazhdojnë në promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe lirisë së shprehjes”, u shpreh ajo.

Richard Mei, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, tha se liria e mediave është vitale për demokracinë.

Ai po ashtu tha se shpreson që gazetaria të ushtrohet sa më shumë sepse, sipas tij, është me rëndësi për të ardhmen e vendit.

Mei gjithashtu foli për njërin nga librat e përkthyer me ndihmën e ambasadës.

“Për të ndihmuar sadopak, e kemi përkthyer këtë libër për punën në media në epokën digjitale. Shpresoj se këta libra do të çojnë larg arsimimin e gjeneratave të ardhshme të gazetarëve në një demokraci”, u shpreh ai.

Përveç Mei, foli edhe Remzije Potoku, zyrtare për Arsim në Ambasadën amerikane, e cila bëri të ditur se deri në fund të majit do të vazhdojë të jetë i hapur konkursi për programin Fulbright për studime master në Amerikë.