Flamuri amerikan - Foto: REL/Shutterstock

Ambasada amerikane: Do t'i analizojmë projektligjet për FSK-në

Ambasada amerikane në Kosovë ka deklaruar se ata nuk janë konsultuar në lidhje me kohën e njoftimit në lidhje me transformimin e FSK-së dhe që do t’i analizojnë këto projektligje për të kuptuar më shumë rreth tyre.

“Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për një ushtri dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën se si ta arrijnë këtë. Ne kemi këshilluar një qasje të matur që e mban Kosovën në sinkron me aleatët tanë të NATO-s në këtë hap të rëndësishëm. Ne nuk u konsultuam në kohën e këtij njoftimi dhe do të duhet të analizojmë projektligjet për të kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Në njoftimin e tyre thuhet se ata janë përqendruar javët e fundit në ndërtimin e një konsensusi të brendshëm për dialogun me Serbinë.

“Ne vazhdojmë të besojmë se normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i rëndësishëm për përparimin në të ardhmen e afërt”, përfundon njoftimi i amabsadës.

Qeveria e Kosovës sot gjatë ditës miratoi 3 projektligje që kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha tha se hartimi dhe procedimi i këtyre projektligjeve është bërë në bazë të normave kushtetuese.

“Projektligji për FSK përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së si forcë multietnike, profesionale në mbrojtje të integritetit territorial të interesave të qytetarëve të Kosovës”, tha ministri Berisha në mbledhjen e Qeverisë.

https://kallxo.com/tri-projektligjet-per-fsk-ne-dokument/

Kurse presidenti Thaçi ka deklaruar se është për transformimin e FSK-së duke shtuar se interesat personale të disa personave kanë vonuar transformimin e saj.

https://kallxo.com/thaci-ia-le-meritat-vetes-per-projektligjet-per-fsk-ne/