Alternativa gjatë prezantimit të kandidatëve për zgjedhje | Foto: KALLXO.com

Alternativa Partia e 60-të në Kosovë

Sot KQZ-ja ka marrë  vendim për regjistrimin e iniciativës politike Alternativa si parti politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përfundimit të periudhës shtatëditore, gjatë të cilës publiku ka mundur t’i shqyrtojë dokumentet e regjistrimit, përfshirë programin e partisë, statutin dhe shenjën (llogon), ka marrë vendim për regjistrimin e iniciativës politike Alternativa, si parti politike”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të KQZ-së për KALLXO.com.

Ky subjekt do të hyjë në regjistrin e partive politike me numër 60.

“Ky subjekt politik me emrin Alternativa do të hyjë në regjistrin e partive politike të regjistruara në Kosovë me numër 60”, thuhet në përgjigjen e zyrës.

Alternativa në zgjedhjet e 11 qershorit garoi bashkë me LDK-në e AKR-në, ndërsa prej saj në listën e Koalicionit LAA deputetë u bënë vetëm dy bashkëthemeluesit Mimoza Kusari-Lila e Ilir Deda.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit Alternativa do  të garojë si parti.