Foto: MKRS

Alpinistët nga Kosova, në Majen e Kilimanxharos më 17 Shkurt

Për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt drejtuesit e shoqatës Bjeshkatare Alpiniste “Shkëmbi” do të pushtojnë majën e Kilimanxharos.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi ka pritur sot në takim drejtuesit e shoqatës “Shkëmbi” të udhëhequr nga kryetari Mensur Gashi.

“Pesë anëtarë të kësaj shoqate, për nder të jubileut të 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2018, synojnë të pushtojnë Majën e Kilimanxharos, në Tanzani të Afrikës, konkretisht “Uhuru Peak” (Majën e Lirisë), në një lartësi mbidetare prej 5895 metra. Për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë, alpinistë nga Kosova do të ‘pushtojnë’ Kilimanxharon”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Ky aktivitet i natyrës sportive e promovuese mbështetet nga Ministria për Kulturë  Rini dhe Sport dhe  realizohet në kuadër të agjendës për shënimin e 10-vjetorit.

“Ekspedita e alpinistëve tonë për ‘pushtimin’ e Kilimanxharos është një aktivitet i rëndësishëm në kuadër të agjendës së ngjeshur që ka përgatitur shteti ynë për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është një nder që shteti ynë të promovohet në Afrikë në këtë datë të shënuar”, u shpreh ministri Kujtim Gashi.