‘Ali Hadri’ boton librin me dokumente për Skënderbeun që ruhen në Arkivin e Dubrovnikut

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka botuar kohë më parë vëllimin me dokumente “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në fondet e Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut”, të përgatitur nga historiani dhe punëtori i këtij institucion, Gjon Berisha.

Libri është botuar në kudër të Vitit Jubilar të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Botimi vjen si rezultat i një punë hulumtuese disa vjeçare në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut nga studiuesi i periudhë së mesjetës, dr. Gjon Berisha, i cili si rezultat i punës hulumtuese në këtë arkivë  hulumtoi dhe grumbulloi rreth 35,000 faqe dokumente që ndërlidhen me Arbërinë dhe arbërorët në mesjetë.

Nga këto dokumente të hulumtura dhe grumbulluara gjatë katër viteve të fundit, një pjesë e tyre, që i kushtohen Epokës së Gjergj Kastriotit, gjejnë vend në këtë përmbledhje me dokumente.

Ndër të tjera “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në fondet e Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut”, përmban 228 dokumente që përfshijnë periudhën kohore nga 21 marsi i vitit 1413 deri më 1 mars të vitit 1468.

Po ashtu, krahas tekstit të dokumentit origjinal, gjendet përkthimi në gjuhën shqipe, dhe në fund të vëllimit janë radhitur faksimilet e shumicës së dokumenteve të botuara, të shoqëruara me shënime plotësuese për vend-ndodhjen e tyre dhe datën e dokumentit, dhe sqarime shtesë për ta bërë librin më të lehtë për lexuesit dhe studiuesit.