Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Aleksandër Lumezi: Blakaj nuk ka pasur presion nga unë

Në një bisedë për KALLXO.com, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka folur për takimin me prokurorin Elez Blakaj ku ishte folur për thirrjen e Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në rastin e veteranëve.

Lumezi nuk e ka mohuar takimin por ka dhënë version tjetër për ato çfarë ka qenë qëllimi i takimit. Kryeprokurori që në bisedë thotë se ka qenë iniciuesi i hetimit të madh për veteranët, ka theksuar se kërkesa e tij ka qenë vetëm për të sqaruar situatën.

“Për rastin e Kadri Vesilt unë e kam ftuar prokurorin pasi e kam kuptuar që prokurori e ka ftu si dëshmitar Kadri Veselin edhe kam kërku nga ai shpjegime pse e ka thirrë. Sqarimi i prokurorit ka qenë se ai e ka ftu në cilësinë e dëshmitarit lidhur me deklarimet të cilat i ka bërë në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Unë i kam thënë që në cilësinë e dëshmitarit nuk mund të thirren deputetët, as ky e as Lumir Abdixhiku për ato çka kanë fole në foltoret e Kuvendit të Kosovës sepse është parim kushtetues sepse ata kanë imunitet për atë çfarë flasin në foltore”, ka thënë Lumezi.

Ai ka shtuar se Veseli nuk ka qenë dëshmitar i ngjarjeve dhe as person i dyshuar në këtë rast.

“Fundi i fundit Kadria nuk ka qenë dëshmitar i drejtëpërdrejtë, nuk ka qenë as komandant i zonës as nuk ka qenë në komisionin për dhënien e benefiteve për veteranët e luftës. Ky ka dashtë me e thirrë për mendje të madhe, këshe unë e kam thirrë po sa e di unë s’e ka marrë në pyetje kurrë”, ka thënë Lumezi.

Ai ka shtuar se prokurori Blakaj nuk ka qenë i penguar për ta thirrur Veselin në intervistë por edhe kur e ka thirrur ai nuk e ka pyetur asgjë.

“Edhe kur e ka thirrë nuk e ka marrë në pyetje. As Kadriun as Lumir Abdixhikun, vetëm ka thënë a dini diçka rreth kësaj çështjeje? Kodi Penal e parasheh kush mund të thirret dëshmitar, mund të thirren vetëm njerëzit që kanë njohuri për ngjarjen që ka ndodhur ose janë dëshmitarë të drejtëpërdrejt ose të tërthortë”, ka thënë Lumezi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se në intervistimin e një dëshmitari nuk mund të flitet për interferim.

“Unë si kryeprokuror i kam shfrytëzuar kompetencat e mia lidhur me një dëshmitar por të ishte i dyshuar atëherë kishim mund të themi se ka interferim nga kryeprokurori por kryeprokurori ka të drejtë me pru udhëzime të detyrueshme për raste konkrete por unë nuk kam pru. Unë kam qenë ai që e kam inicu rastin e veteranëve të luftës”, ka thënë Lumezi. Ai ka sqaruar se iniciativa për të sqaruar rastin e Veselit ka ardhur nga  vetë ai e jo nga dikush brenda kabinetit të Kadri Veselit.

“Nuk kam pasur ankesë prej Veselit por unë e kam marrë vesh nga kryeprokurori që është thirrë Kadri Veseli dhe pasi që e ka lëshu ftesën e kam thirrë me ma dhanë shpjegimin pse e ka thirrë dhe në çfarë cilësie e ka thirrë Kadri Veselin”, ka thënë Lumezi.

Pas pak KALLXO.com do publikojë edhe versionin e Lumezit për rastin “Pronto”, e po ashtu pretendimet e tij që Elez Blakaj nuk kishte trajtuar asnjë rast të rëndë në karrierën e tij.

Në një letër të bërë publike përmes profilit të tij në ‘Facebook’, prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, akuzoi Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, se ka kërkuar llogari prej tij pse në mesin e dëshmitarëve në rastin e veteranëve e kishte ftuar edhe kreun e Kuvendit, Kadri Veselin.

https://kallxo.com/elez-blakaj-aleksander-lumezi-kerkoi-llogari-per-intervistimin-e-kadri-veselit/

Kallxo.com