Albright: Nuk do ta harrojë kurrë kohën kur njerëzit brohorisnin ‘Faleminderit SHBA’

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nderuar ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright me ‘Urdhrin e Lirisë’.

Me këtë rast mikja e Kosovës Albright ka thënë se ka dëshirë të merr çmime, por asgjë nuk e gëzon më shumë se të jetë pjesë e Kosovës.

“Jam krenare për gjithçka që keni bërë ju dhe ne për t’i arritur këto gjëra. Nuk do harroj kurrë vitet e luftës, njerëz që brohorisnin ‘Faleminderit USA’. Mendoj që SHBA ka bërë gjënë e duhur. Jam e nderuar të jem këtu me ju. Kosova është vend i pavarur prandaj meriton të njihet”, ka thënë Albright.

Ndërsa i pari i shtetit, Hashim Thaçi ka thënë se ajo do të mbetet gjithnjë heroi i popullit të Kosovës.

“Jemi të bekuar si vend si popull që Klinton dhe ju jeni rikthyer në shtëpinë tuaj familjen tuaj për të uruar 20 vjetorin e lirisë së Kosovës, 20 vjetorin e shpresës dhe besimit për vendit. Ju keni ditur të bashkoni botën demokratike. Si president i Kosovës dhe mik i juaji, më lejoni të ndaj çmimin e Urdhrit të Lirisë, për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Sot nga ora 11:00 në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ku do të marrin pjesë ish-presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, ish-sekretarja Madeleine Albright dhe shumë personalitete tjera vendore e ndërkombëtare. Më pas, nga ora 14:00 do të jetë “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, për të bërë përurimin e bustit të ish-sekretares Albright. Ndërkaq në orën 15:00, do të bëhet vizitë në Bulevardin ‘Bill Klinton’, afër shtatores së ish-presidentit Klinton.