Albin Kurti - Kryetar i LVV

Albin Kurtin nuk e befason PSD për dialogun me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk është i befasuar me gatishmërinë e Partisë Social Demokrate për t’u bërë pjesë e dialogut me Serbinë.

“Nuk jam befasuar sepse pakçka mund të më befasojë”, tha shkurt Kurti në një intervistë për TV21.

Ai kritikoi mënyrën se si Kosova e ka bërë dialogun me Serbinë dhe realizimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“Ne duhet të dimë çka po duam. Për herë të parë, politikanët shqiptarë nuk e kanë të njëjtin qëllim në bisedime me Serbinë. Presidenti do diçka tjetër e ne si deputetë duhet të distancohemi nga këto akrobacione”, tha Kurti.

Më herët Albin Kurti tha se ka shumë pikëpyetje për transformimin e FSK-së.

Në një intervistë për TV21, Kurti tha se qeverisë së Kosovës i mungon përkushtimi buxhetor për këtë forcë.

“Në projektligjin e 2019 janë paraparë vetëm 58 milionë euro për FSK-në”, tha Kurti

“Përkushtimi buxhetor për FSK-në e ardhshme është mjaft i mangët”, shtoi ai.

Çështje tjera të cilat Kurti tha se duhet të adresohen është edhe shtrirja e FSK-së dhe në këtë drejtim ai e kritikoi kryeministrin Ramush Haradinaj që tha ditë më parë se Kosova e ka FSK-në për misione paqeruajtëse jashtë.

“Kjo i dekurajon ushtarët e tu kur u thua se i ke ushtarët për një kontinent tjetër e jo për vendin tënd”, tha Kurti.

“Sa merremi me shikimin e topit të pingpongut me deklaratat e ndërkombëtarëve duhet të merremi me aftësitë e FSK-së. Ajo duhet ta reflektojë territorin dhe popullsinë tonë por edhe raportin me fqinjtë tanë, sidomos me Serbinë, e cila për çdo ditë na kërcënon”, tha ai.

Kurti e mirëpriti deklaratën e mbrëmshme të ambasadorit amerikan Philip Kosnett për FSK-në.

“Boshti dhe thelbi i NATO-s janë SHBA-të dhe mbështetja që i dhanë ato transformimit të FSK-së janë shumë të rëndësishme”, tha Kurti.