Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Albin Kurti tregon nëse grabitësi i vrarë në Istog ishte anëtar i Vetëvendosjes

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka përjashtuar mundësinë që grabitësi i dyshuar që u vra sot në Istog të ketë qenë anëtar i partisë së tij.

“Në bazë të fotografive nuk më kujtohet por është e mundur që është anëtar i yni. Ne së shpejti mbërrijmë në 31 mijë anëtarë si VV. Istogu është qytet i vogël dhe ne atje kemi shumë anëtarë. Sapo t’i kemi të gjitha informatat, ne do të ju njoftojmë”, tha Albin Kurti në KTV.

Kurti shtoi se janë përhapur lajme se unë kam qenë në odën e dorasit. Por shtoi se kjo nuk është e vërtetë.

“Unë kam qenë në odën e Muharrem Metajt që para disa muajve ka kaluar nga LDK në VV. Mund ta ketë kushëri apo diçka, por nuk kam qenë në odën e tij”, theksoi Albin Kurti lidhur me Kamer Metajn, i cili u vra sot në Istog pas një tentim grabitjeje në filialin e bankës NLB.

Në këtë incident, gjatë një përleshjeje me zyrtarët policorë nga të shtënat e të dyshuarit mbeti i vrarë edhe polici Izet Demaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur Policia ishte informuar për një tentim grabitje në filialin e bankës NLB.

Porsa kanë shkuar në vendin e ngjarjes, policët janë përballur me plumbat e të dyshuarit, për të cilin besohej se kishte marrë peng dy persona në bankë.

Gjatë përleshjes ishte qëlluar polici Izet Demaj e më pas edhe i dyshuari.

Policin e plagosur e kishin nisur drejt Spitalit të Pejës, ku kishte arritur pa shenja jete.

https://kallxo.com/polici-kishte-vdekur-para-se-te-arrinte-ne-spital/

https://kallxo.com/video-18-momenti-i-vrasjes-ne-istog/

www.kallxo.com