Albin Kurti thërret qytetarët për protestë para zyrës së Aleksandër Lumezit

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë të mbajtur sot ka bërë thirrje për protestë paqësore para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të premten në mesditë.

Kurti ka thënë se me një kryeprokuror si Aleksandër Lumezi nuk mund të bëhet shteti pasi nuk i frikësohet askush.

Sipas tij, asnjë nga politikanët nuk i frikësohen prokurorëve, veçmas kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Ai po ashtu ka quajtur lepur kryeprokurorin e shtetit si dhe prokurorë të tjerë.

“Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike. Në vend se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari t’i frikësohen kryeprokurorit, ky iu frikësohet atyre. Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ministra kaq shumë të korruptuar. Mirëpo, asnjë ministër i qeverisë nuk i frikësohet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, dhe, ky i druhet cilitdo, pra secilit, prej tyre. Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin.  Me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë”, tha Kurti.

Tutje ai ka shtuar se korrupsioni në Kosovë ka lulëzuar si kurrë me herët, duke aluduar kapjen e shtetit nga politikbërësit.

Kurti përmendi edhe heshtjen e prokurorëve karshi sulmeve dhe kërcënimeve ndaj prokurorit Elez Blakaj.

“Nga raportimet e përditshme nëpër medie për aferat korruptive të qeverisë e deri te të gjeturat e shumta të Zyrës Kombëtare të Auditimit, asgjë nuk i bën përshtypje këtij kryeprokurori. Ai është frikacak dhe, mbase, i shantazhuar.

Sulmit dhe kërcënimeve të kryeministrit ndaj prokurorit Elez Blakaj, ai ju përgjigj me sulme e kërcënime shtesë kundër vartësit të vet. Asnjë prokuror i Kosovës, ama bash asnjë, nuk foli as sot e kësaj dite, 8 muaj më vonë.

Andaj, të premten e 26 prillit 2019, në ora 5 n’12, pra 5 minuta para mesditës, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për protestë paqësore para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë. Ky Lepur nuk e ka vendin në rrugën që mban emrin Luan”, tha Kurti.