Albin Kurti: Projekti i Serbisë për ndarje të Kosovës ka dështuar por nuk ka vdekur

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha sot se projekti i Serbisë për ndarje të Kosovës “ende nuk ka vdekur”, sado që tha se ky projekt ka dështuar.

Në një tryezë të organizuar nga Instituti RIDEA në Prishtinë ku po prezantohen rezultatet e një sondazhi rreth opsioneve të arritjes së një zgjidhjeje në dialogun me Serbinë, Kurti tha se rruga e Kosovës drejt BE-së nuk kalon nëpër Beograd.

“Në Serbi është quajtur kufizim kufiri, ndërkaq në Kosovës është quajtur korrigjim i kufirit me kompromise të dhimbshme. Kemi arsye për gëzim por jo edhe për festim. Pra gëzim pa festë sepse ideja nuk ka vdekur”, tha Kurti duke folur për idenë të cilën tash e gati një vit është duke e prezantuar Presidenti Thaçi.

“E kam një propozim shumë të thjeshtë, le ta bëjmë njëherë anëtarësimin në OKB, njohjen e Kosovës pastaj e bëjmë korrigjimin, shohim a ka hapësirë dhe jo njëherë korrigjimi pastaj anëtarësimi”, tha Kurti.

“Kushdo që flet për korrigjimin e kufirit me Serbinë, le ta kryejë njëherë atë me Malin e Zi të shohim se si e kryen”, tha ai.

“Ne jemi të bindur si subjekt politik se zgjidhja e duhur janë hapat e duhur. Duhet të bëhet një shqyrtim dhe vlerësim i dialogut me marrëveshjet. Ta shohim shkallën e zbatimit. 6 vjet 33 marrëveshje, ku jemi? Hapi i duhet të jetë ky. Hapi i dytë duhet të jetë çka duam ne, cili është qëllimi. Duhet të stabilizohemi brenda nesh, dhe kjo duhet bërë me 2 të 3-tat dhe me hapin e parë”, tha Albin Kurti.

“Ne nuk i kemi borxh Serbisë, ajo na borxh dhe është gabim që s’po ia kërkojmë borxhin”, tha Kurti.

Më pas, Kurti tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja në mënyrë që qeveria e ardhshme “të ketë legjitimitet”.

“Më pas nevojiten zgjedhjet e reja parlamentare, kemi nevojë për qeveri të re dhe më pastaj qeveria e re ta marrë përgjegjësinë dhe me platformë të përbashkët, ekip negociator me dy të tretat”, tha kryetari i VV-së.