Albin Kurti: ‘Pranvera Ballkanike’ e protestave do të arrijë edhe në Kosovë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se është i bindur se edhe në Kosovë do të ketë protesta të njëjta masive kundër qeverive të korruptuara sikur edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kohëve të fundit

Kurti tha se Kosova mund të presë zhvillime të reja në rrugë për të shtyrë përpara ndryshimet politike këtë pranverë.

“Në Kosovë, sikur edhe në vendet fqinje, mund të pritet një pranverë e ndryshimeve politike”, tha Kurti për BIRN.

“Njerëzit janë të lodhur nga liderët autokratë dhe oligarkët të cilët kontrollojnë dhe dominojnë fatin shoqërisë dhe ekonomisë”, shtoi ai.

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi së fundi janë përfshirë në protesta masive me synim rrëzimin e “qeverive të korruptuara”, siç thonë organizatorët e protestave.

Vetëvendosje deklaroi më 4 prill se do të organizojë tubime me qytetarë anembanë Kosovës për t’i mobilizuar ata për protesta. Lëvizja gjithashtu paralajmëroi se mund ta përdorë një mocion mosbesimi në përpjekje për ta rrëzuar qeverinë e Ramush Haradinajt.

“Pas dështimit që pësoi projekti për ndryshime territorial me Serbinë, presidenti (Hashim Thaçi) i cili ende e mbështet këtë ide, dhe kryeministri (Ramush Haradinaj) i cili e kundërshton këtë ide vetëm deklarativisht, duhet të largohen”, tha Kurti.

Ardian Kastrati, ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, tha për BIRN se edhe nëse qeveritë në rajon rrëzohen, partitë aktuale opozitare mund të mos bëjnë shumë ndryshime.

“Mund të ketë një ‘Pranverë Ballkanike’ të llojit të vet, nëse u referohemi ndryshimeve të pushtetit politik përmes protestave masive”, tha Kastrati.

“Por rrëzimi i qeverive aktuale nuk nënkupton domosdoshmërisht garanci për formimin e demokracive kuptimplota nëse strukturat aktuale opozitare vijnë në pushtet”, tha Kastrati.

Ai tha se Vetëvendosje ka zgjedhur këtë moment të veçantë për t’i shtyrë përpara protestat masive “për ta parandaluar Presidentin Thaçi që të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, sepse kjo potencialisht mund ta zgjasë karrierën e tij politike ndaj rivalëve të tij politikë”.

Kastrati beson se situatë e njëjtë mbretëron edhe në Serbi ku protestuesit anti-qeveritarë janë duke protestuar me muaj të tërë kundër Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së Partisë Progresive që ai e drejton.

“Përveç agjendës së tyre formale anti-qeveritare, opozita në serbi frikësohet se nëse Vuçiq arrin marrëveshje me Kosovën, e cila do ta konfirmonte dhe përshpejtonte procesin euro-integrues të Serbisë, ai do të ri-legjitimohej se njeriu i fuqishëm i Serbisë për një periudhë më të gjatë”, tha Kastrati.