Foto: LVV-Facebook

Albin Kurti nderon vëllain dëshmor të Ramush Haradinajt

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bashkëpartiakë të tij kanë bërë homazhe këtë të diel për 20 vjetorin e çlirimit të Pejës.

Sipas njoftimit të VV-së, Kurti dhe të tjerët  vendosën kurora lulesh në përmendoren e re të dëshmorëve të UÇK-së dhe shtatoren e dëshmorit Shkëlzen Haradinaj.

Shkëlzen Haradinaj është vëllai i kryeminstrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj dhe Kurti kishin qëlime të përbashkëta politike qysh nga koha e koalicionit VLAN që përbëhej prej VV-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, në 2014-ën.

Por raportet ndërmjet tyre ndryshuan kur AAK-ja e Haradinajt iu bashkua Kadri Veselit të PDK-së, për formimin e koalicionit qeverisës PAN, PDK-AAK-Nisma, në vitin 2017.

Që nga formimi i Qeverisë aktuale, Kurti e akuzon Haradinajn për keqqeverisje duke paralajmëruar edhe rrëzimin e tij nga pushteti.

Megjithëkëtë, Lëvizja Vetëvendosje, theksoi sot se Rrafshi i Dukagjinit dhe vetë Peja ka dhënë gjithmonë dhe pa u kursyer djemtë dhe vajzat e tij më të mira për çështjen kombëtare.

“Rënia e tyre është gur themeli për ndërtimin e Kosovës. Dëshmia e tyre është fillimi i një lirie të fituar me luftë dhe që mbetet të ndërtohet kolektivisht dhe pandalshëm në paqe. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe amanetit të tyre”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik në Facebook.