Albin Kurti - Kryetar i LVV

Albin Kurti: As dëshmorët, po u ngritën nga varret, nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sot se nuk mund të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë pa e parë se cili është fati i marrëveshjeve të deritanishme të arritura në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel tash e tetë vjet.

“Le të mos shtiremi që ne nuk kemi marrëveshje me Serbinë. Ndoshta ne kemi shumë marrëveshje me Serbinë. Plot 33 marrëveshje janë nënshkruar gjatë dialogut në Bruksel dhe ne në Kuvend duhet t’i trajtojmë këto 33 marrëveshje, sa është shkalla e përmbushjes së tyre”, tha Kurti në një tryezë rreth dialogut Kosovë- Serbi të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit.

Ai kërkoi që Kuvendi i Kosovës të ketë tol në shqyrtimin e punës së ekipit kosovar në dialog gjatë këtyre viteve.

“Nuk mund të ecim drejt e mirë përpara pa e ditur prej nga vijmë. Një seancë në të cilën merren përgjegjësitë si për sukseset ashtu edhe për dështimet është e domosdoshme”, shtoi ai.

“Dhe të mos harrojmë, 33 marrëveshjet nuk ia kanë ndryshuar mendjen asnjërit nga vendet mosnjohëse të BE-së, aq më pak Kinës e Rusisë. Prandaj nuk është mirë të magjepsemi për një marrëveshje të ardhshme e cila nuk ekziston”, nënvizoi Kurti.

Sipas Kurtit, Serbia e ka të qartë kërkesën e vet për ndarjen e Kosovës.

https://kallxo.com/thaci-nese-sivjet-nuk-bejme-marreveshje-me-serbine-hyjme-ne-zone-te-rrezikshme/

“Ne e dimë çka don Serbia, ajo e thotë hapur e qartë. Ajo thotë delimitim, përkufizim, kufizim me shqiptarët e Kosovës që të vazhdohet me delimitim me kroatët përmes ndarjes së Bosnjës. Projekti është i vjetër, qe besa as akterët e tyre nuk janë të rinj. Ne e dimë çka duan ata. Në Kosovë 5 liderë politikë i kanë 6 mendime”, tha ai.

Por Kurti u shpreh fuqishëm kundër idesë për prekje të kufijve të Kosovës.

“As dëshmorët ndër varre, po u ngritën, nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës, e lëre më njerëz të gjallë”, tha ai.