Albert Krasniqi, Demokracia në Veprim. Foto: DnV

Albert Krasniqi: Kryetari i Kuvendit ka Mandat ta Caktojë Seancën

Sot, kreu i kuvendit Kadri Veseli, edhe pse nuk kishte kuorum në mbledhjen e kryesië, caktoi seancën jashtëzakonshme të thirrur nga Presidenti Hashim Thaci dhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

Lëvizja Vetëvendosje, parti opozitare, e akuzoi Veselin për vendim “arbitrar”, por Albert Krasniqi, monitorues i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për KALLXO.com se Rregullorja e Kuvendit ia lejon kryeparlamentarit një vendim të tillë.

Sido që të jetë, Veseli nuk e kishte shfrytëzuar këtë të drejtë më 22 dhjetor të vitit të kaluar kur për mungesë kuorumi, kryesia nuk mundi të vendosë që ta procedojë në seancë kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Krasniqi tha se dy seancat janë të krahasueshme ngase janë thirrur si të jashtëzakonshme, e para nga mbi 40 deputetë nënshkrues dhe e dyta nga Presidenti e Kryeministri.

“Në rastin e parë [kërkesa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Speciales], kryesia ka bërë shkelje që nuk e ka caktuar seancën edhe pse nuk ka pasur kuorum. Në rastin e sotëm [kërkesa e Presidentit e Kryeministrit për seancë të jashtëzakonshme për demarkacionin] është e ligjshme, ngase kryesia është vetëm facilitues, lehtësues për të caktuar seancën”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ai tha se kryeparlamentari edhe në mungesë kuorumi kur thirren seanca të jashtëzakonshme, ka mandat t’i caktojë ato.

Neni 38 i Rregullores së punës së Kuvendit thotë se seancat e jashtëzakonshme, përveç kryesisë së kuvendit mund të thërrasin edhe Presidenti, Kryeministri dhe një ose më shumë grupe parlamentare, që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e deputetëve, përkatësisht 40 deputetë të Kuvendit.

Kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme duhet t’i përmbajë çështjen që do të shqyrtohet dhe arsyetimin pse konsiderohet çështje e ngutshme dhe e rëndësishme.

Caktimin e seancës së jashtëzakonshme për të dielën e quajti arbitrare deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se ky vendim është marrë “në mënyrë arbitrare” nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Por, Veseli komentoi edhe akuzat e deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, se vendimi është marrë pa kuorum.

Vendimmarrja ka ndodhur në bazë të Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Veseli.

Seanca e jashtëzakonshme për votimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është caktuar të dielën më 18 shkurt në ora 18:00.

Në mbledhje e kryesisë nuk ishin përfaqësuesit e Listës Serbe dhe Grupit parlamentar 6+, më pas mbledhjen e lëshoi edhe anëtarja e kryesisë nga Vetëvendosjes, Aida Dërguti.  Kështu nga 6 anëtarë të kryesisë, vetëm tre ishin të pranishëm.