Alarmi për bombë, prokurori special del në vendngjarje

12:17

Prokurori special, Sylë Hoxha ka dalur para objektit të Prokurorisë Speciale ku po dyshohet për mjet shpërthyes.

11:54

KALLXO.com ka siguruar video të kontrolleve që policia po bën rreth objektit të Prokurorisë Speciale për shkak të dyshimeve për bombë.

Policia ka vendosur shirita dhe ka sjellur qentë për të kontrolluar nëse ka mjete shpërthyese.

 

Një telefonatë kërcënuese kanë pranuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, derisa anëtarët e tij ishin duke mbajtur mbledhje. Ata janë kërcënuar përmes telefonit me vendosje të një mjeti shpërthyes.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Ajshe Qorraj, zëdhënëse e KGjK-së.

“Derisa kemi qenë në mbledhje të Këshillit Gjyqësor kemi marrë një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes. Një telefonatë kërcënuese se ka një mjet shpërthyes në afërsi të objektit të KGJK-së”, ka thënë Qorraj.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për KALLXO.com se rreth orës 10:30 Policia ka pranuar informatë për mjete të dyshuara shpërthyese.

“Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën në rrugën Luan Haradinaj në Prishtinë, ndodhen  mjete  të dyshuara shpërthyese. Menjëherë pas marrjes së informatës në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat aktualisht janë duke u marr me rastin”, ka thënë ajo.

KALLXO.com është në vendin e ngjarjes, ku shihet se Policia ka siguruar zonën përreth objektit të KGJK-së dhe Stacionit qendror të Policisë së Kosovës, në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë.