Foto: Al Petrol

'Al Petrol' detyrohet t’i mbulojë reklamat e ‘Shell’ pasi nuk ka licencë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka urdhëruar kompaninë Al Petrol që t’i heqë apo t’i mbulojë reklamat e kompanisë ‘Shell’ pasi që ende nuk ka licencë zyrtare në emër të kësaj kompanie.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

“Urdhëresa ka qenë që t’i mbyllin të gjitha pikat ku vendosë reklamën e ‘Shell’, pasi licencën e ka me ‘Al Petrol’. Sipas informatave që kemi janë mbuluar në shtatë pika dhe një për shkak që ka qenë lartësia e lartë po e presin një kran. Por brenda orarit të punës nëse nuk e mbulon, nëse gjendet një shenjë jashtë ‘Al Petrol’ mbyllet pika”, tha Hasani.

Thotë se kompania “Al Petrol” nuk ka dorëzuar asnjë dokument në MTI.

“Ky vendim është marrë vetëm me qëllim që është e ndaluar me shitë në emër të një firmës tjetër pasi nuk ka kontratë, nuk kemi dokumentacion. Neve na duhet me apliku për me i ndërru licensat, është procedurë”, tha Hasani.

Sipas Hasanit do të ketë kontroll edhe të shtunën për të parë nëse urdhri është respektuar.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë kompaninë ‘Al Petrol’, por nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.