Al Jazeera Transmeton Filmin e BIRN-it për Masakrat në Pejë

“Të Paidentifikuarit” do të transmetohet për teleshikuesit e televizionit në vendet e ish-Jugosllavisë të martën në orën 17:05 me orën lokale nga Al Jazeera Ballkans, një rrjet simotër i stacioneve televizive në gjuhën arabike dhe angleze në Katar.

Dokumentari menjëherë pas transmetimit në televizion do të hidhet në internet.

“Të Paidentifikuarit” heton sulmet në fshatrat e Kosovës në vitin 1999 dhe emrat e personave të përfshirë në një operacion në përpjekje për të fshehur krimet.

Ai pati premierën e tij ndërkombëtare në Festivalin e Filmit në Sarajevë të vitit të kaluar dhe është shfaqur edhe në shumë festivale dhe institute të tjera në Paris, Nju Jork, Uashington, Zagreb, Beograd, Tiranë, Maribor dhe Los Anxheles.

“Filmi ka udhëtuar në shumë festivale. Ne organizuam gjithashtu një sërë shfaqjesh për të rinjtë, por më në fund një audiencë më e madhe do të mund ta shohë atë, që është diçka shumë shpërblyese për të gjithë ne që punuam për të,” tha regjisorja e filmit Marija Ristiq.

“Të Paidentifikuarit” i kthen shikuesit pas në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, pranë Pejës në Kosovë, në pranverën e vitit 1999, ku ushtarët serbë vranë më shumë se 118 civilë shqiptarë.

Trupat e tyre u dogjën ose u zhvendosën, dhe disa prej tyre u gjetën më vonë në varre masive në qendrën policore në Batajnicë pranë Beogradit në vitin 2001.

Njëmbëdhjetë ish-anëtarë të forcave serbe janë në gjyq në Beograd nën dyshimet se kryen krimet.

http://kallxo.com/prishtine-shfaqet-dokumentari-i-birn-it-per-krimet-e-luftes/

“Pasi e ndoqëm gjyqin për më shumë se dy vjet, donim të shkonim përtej sallës së gjyqit dhe të tregonim si këndvështrimin e viktimave ashtu edhe atë të autorëve të krimeve për një publik më të gjerë. Njerëzit që janë në gjyq janë autorët e drejtpërdrejtë dhe ne donim të zbulonim se kush ishin ata që e projektuan të gjithë këtë,” tha Ristiq.

Gjeneralët e policisë dhe ushtrisë që dhanë urdhrat nuk janë ndjekur kurrë penalisht në Serbi.

“Është mëkat që 17 vjet më vonë, viktimat e këtyre krimeve duhet të presin ende për drejtësi,” tha Ristiq.

Dosjen e filmit “Të Paidentifikuarit” mund ta lexoni në këtë link.

http://kallxo.com/kush-urdheroi-fshehjen-e-trupave-te-shqiptareve-ne-serbi/