Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari Thotë se Babai i tij e Plagosi Berberin

Në gjykimin për vrasjen në tentativë të berberit Florim Arifi, rast ky i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, dëshmoi vetë i dëmtuari Florim Arifi si dhe e dha mbrojtjen edhe i akuzuari Hamdi Novobërdaliu.

Gjykata Themelore në Prishtinë Hamdi Novobërdaliun e kishte shpallur fajtor dhe të njëjtin e kishte dënuar me 4 vjet e gjashtë burgim, por më pas Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të pranuara nga palët kishte vendosur që rastin ta kthente në rigjykim.

Florim Arifi tregoi se sa i kujtohej e kishte dhënë edhe një deklaratë për policinë përderisa ka qenë i shtrirë në spital, por që nuk e mbante mend se çfarë kishte thënë në atë deklaratë.

Gjatë dëshmisë së tij ai tha se atë ditë pak sekonda para se të qëllohej kishte arritur që ta shihte Hamdi Novobërdaliun me “kallash” në dorë.

“Para se të fillojë Hamdiu me gjuajt unë e kam parë në pasqyre dhe kjo ka qenë në një interval kohor prej një sekonde. Dhe e kam parë në pasqyre në pozitë të gjuajtjes me armë, ngase kallashin e kishte pasë në dorë dhe të drejtuar nga unë dhe myshteriu që ka qenë aty”, deklaroi i dëmtuari.

Ndërsa pas breshërisë së plumbave i dëmtuari tha se pasi që kishte arritur që të dalë jashtë e kishte parë përsëri Hamdi Novobërdaliun, i cili sipas të dëmtuarit kishte qenë duke e ndërruar karikatorin e armës.

“Kur kam dalë unë jashtë lokalit Hamdiu ka qenë në anën e djathtë të trupit tim dhe ka qenë duke e ndërruar karikatorin e kallashit, nuk e di a e ka ndërruar karikatorin e kallashit apo jo se atëherë ka filluar të më hup vetëdija nga gjakderdhja e madhe që kam pasur”, tha i dëmtuari.

Kurse Hamdi Novobërdaliut kur i erdhi radha që të jepte mbrojtjen deklaroi se kishte për t’i shtuar disa gjëra të cilat nuk i kishte thënë më parë.

Ai tha se kishte vendosur që të e tregonte tërë të vërtetën e që sipas tij e vërteta është se Florim Arifin nuk kishte sulmuar ai, por babai i tij.

I akuzuari tha se pasi që edhe më herët kishin pasur një problem me tanimë të dëmtuarin e këtij rasti Florim Arifin për të cilin tha se e kishte plagosur më herët, babai i të akuzuarit i kishte thënë atij që ai do të merrte hak për të, e atij i kishte thënë të largohej jashtë shtetit.

“Se kom fol të vërtetën atëherë, çka kam thënë atëherë se kom qit njeriun që duhet. Unë kam dalë jashtë Kosovës pak para se të plagosej Florimi. Babai im nuk ka dashur me u pajtu me ta, më ka thënë dil ti jashtë mos u merr me ta se unë e kry këtë punë, sepse babai im e ka pasur në plan që ta plagosë dhe për këtë arsye më ka nxjerrë mua jashtë sepse ka thënë kur ta plagos unë këtë të mos jesh ti aty”, tha i akuzuari.

Kur u pyet nga trupi gjykues se nëse i akuzuari mund që ta dëshmonte qëndrimin e tij jashtë shtetit me ndonjë dokument, i akuzuari deklaroi se ai jashtë shtetit kishte dalë në mënyrë të jashtëligjshme dhe se edhe kur ishte lajmëruar si azilant, ishte lajmëruar me një emër tjetër.

Por shtoi se posedon foto me të cilat pretendon që ta faktojë qëndrimin e tij në Gjermani.

“Qekjo që po e them sot është e vërteta, se atëherë s’kam dashtë me e thanë, nuk kam dashur me tregu se Florimin e ka plagosur babai im tashmë i ndjeri, por tash këtë çka po e them është e vërtetë, sepse në kohën që është plagosur Florim Arifi, unë kam qenë në Gjermani. Unë atje kam dalë me emrin Kastriot Paci, lypne atje me Kastriot Paci qashtu e gjeni se unë atje kom dalë me qat emër”, shtoi më tej i akuzuari.

Në seancë dëshmoi edhe eksperti i mjekësisë ligjore Naim Uka i cili tha se në bazë të ekzaminimit është arritur që të konstatohet se i dëmtuari Florim Arifi si pasojë e sulmit ka pësuar dëmtime të rënda trupore me pasoja të përhershme në shëndet.

Gjatë kësaj seance u dha edhe fjala përfundimtare, ku si prokurori ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit thanë se mbeten në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Sipas aktakuzës, Hamdi Novobërdaliu në dhjetor të vitit 2011 në Rrugën “Bajram Bahtiri” të Prishtinës, në Lokalin “Flori” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes, tentoi ta privojë nga jeta Florim Arifin.

Aktakuza sqaron se këtë veprim Novobërdaliu e ndërmori pasi ishte plagosur në gju nga Florim Arifi.

Në aktakuzë tregohet se Novobërdaliu kishte hyrë në lokalin ku punonte i dëmtuari dhe me një atomë deri tash të paidentifikuar e kishte qëlluar në të dy këmbët dhe pastaj kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës në kohën kur Novobërdaliu qëlloi Florim Arifin, Arifi po e rruante Flamur Shehun, ndërsa në lokal për të prerë flokët ishte duke pritur Hasan Paçarada.

Paçarada e Shehu janë ë dëmtuarit e këtij procesi, pasi gjatë të shtënave drejt berberit Arifi, Novobërdaliu i rrezikoi ata.

Hamdi Novobërdaliu qëndroi në arrati nga dhjetori i vitit 2011 kur akuzohet se kreu plagosjen, deri në shkurt 2017, kur u arrestua nga policia. Nga plagosja, berberi Florim Arifi pësoi dëmtime të rënda trupore.

Më 15 qershor, kur u caktua seanca e radhës, pritet mjeku ligjor të shpjegojë ekspertizën e tij.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 12 mars.