Pamje nga vendi i vrasjes në Pejë - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Vrasje nuk Sillet në Gjykatë

Gjyqtarja Lumturie Muhaxheri e shtyu sot seancën fillestare për vrasjen e Mentor Zekajt, ngase i akuzuari për këtë vrasje Kreshnik Haliti nuk u soll në gjykatë nga Njësiti për Përcjelljen e të Burgosurve të Burgut të Dubravës.

Para se ta shtynte seancën, gjyqtarja Muhaxheri tregoi se ky njësit e ka njoftuar me anë të një faksi se nuk mund ta sjellin të paraburgosurin.

“Gjykata sot përmes faksit ka pranuar një kërkesë nga Njësiti për Përcjellje të të Burgosurve, Burgu i Dubravës, nga koordinatori i Njësitit për Përcjelljen e të Burgosurve në Dubravë, Sami Halitaj, që të shtyhet seanca e sotshme në raport me të paraburgosurin, Kreshnik Haliti”, tregoi gjyqtarja.

Gjyqtarja Muhaxheri më tutje dha edhe arsyen pse i paraburgosuri nuk u shoqërua sot në gjykatë.

Njësia për Përcjelljen e të Burgosurve për shkak të kërkesave të shumta që kanë nga ana e gjykatave dhe prokurorive në këtë datë, nuk kanë mundësi ta sjellin të burgosurin në fjalë dhe për këtë arsye kërkojmë që ta caktojmë mbajtjen e kësaj seance me një datë tjetër”, tha gjyqtarja.

Pastaj u caktua data 10 tetor për mbajtjen e kësaj seance.

Në këtë proces gjyqësor Kreshnik Haliti akuzohet për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt.

Pasditen e 6 marsit të këtij viti, Mentor Zekaj nga të shtënat e amës së zjarrit kishte mbetur i vdekur në lagjen “Fidanishte” të Pejës.

http://kallxo.com/nje-person-vrare-ne-peje/

Ky i fundit në seancën për caktimin e masës së sigurisë kishte deklaruar së ndjen keqardhje për rastin e ndodhur dhe se ditën kritike “kishte lindur për së dyti”.

http://kallxo.com/dyshuari-per-vrasjen-ne-peje-kam-lindur-per-se-dyti/

KALLXO.com kishte raportuar një ditë pas vrasjes se borxhi dyshohet të ishte motivi i kësaj vrasje.