Gjykimi për pranim dhe kalim të paligjshëm të provimeve në UP | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Asnjëherë nuk Hyra në Provim në Vend të Tjetërkujt

Mevludin Beqiri, i akuzuar së bashku me 11 persona të tjerë kryesisht studentë lidhur me dhënien dhe marrjen e ryshfetit për pranim dhe kryerje të provimeve në Universitetin e Prishtinës, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë mohoi në mënyrë kategorike pretendimet e prokurorisë ndaj tij.

I pyetur nga avokati i tij mbrojtës, Skender Musa se a kishte hyrë ndonjëherë në provim në vend të tjetërkujt, Beqiri e konsideroi të pamundhsme këtë gjë në Fakultetin e Mjekësisë.

“Unë për vete jam regjistruar me vendim të organit kompetent për rritjen e numrit. Si është e mundur të hyj në provim për tjetër njeri kur dy vjet më shumë më kanë shkuar që ta përfundoj fakultetin dhe është e pamundur të hysh në provim për tjetër njeri në Fakultetin e Mjekësisë”, tha Beqiri.

Beqiri ishte shumë i prerë edhe kur u përgjigj në pyetjen e avokatit të tij nëse kishte pranuar ndonjëherë para siç pretendon Prokuroria.

“Asnjëherë”, u përgjigj Beqiri duke thënë se ka qenë vetëm student, e jo anëtar i Parlamentit Studentor apo i Senatit.

Pyetje ndaj Beqirit pati edhe prokurori i këtij rasti, Ibrahim Berisha.

Berisha e pyeti të akuzuarin se çfarë raporte kishte me Esat Belajn, po ashtu i akuzuar i këtij rasti.

Prokurori Berisha në veçanti ishte i interesuar të dijë për përmbajtjen e disa SMS-ve të shkëmbyer mes këtyre dy të fundit.

“Shko merri qato pare sot se duhet me i ble ato sende” dhe “Këqyr sot bonja diqysh se mbetëm krejt, sot duhet me i ble ato sende”, ishin SMS-të për të cilat u interesua prokurori.

“Këto SMS lidhen me kohën kur unë dhe Esati kemi diskutuar ta hapim një lokal me lojëra kompjuterike Play-Station, aty ku thotë bonja diqysh, ka qenë për pare sepse unë kam dashur ta marr një kredi”, u përgjigj Beqiri.

Në seancë mbrojtjen e tij e dha edhe i akuzuari Kushtrim Morina, të cilit avokati i tij i caktuar sipas detyrës zyrtare, Asdren Hoxha nuk i shtroi asnjë pyetje, pasi konstatoi se aktakuza nuk ka asnjë specifikim direkt ndaj të mbrojturit të tij.

Seanca e radhës në këtë rast do të mbahet në muajin maj.

Sipas aktakuzës, Esat Belaj ngarkohet se nga 9 shtatori 2012 deri më 16 shtator 2012 si student senator duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurve Leonard Bytyqi dhe Albion Haxhijaha kërkoi në mënyrë të tërthortë dhe pranoi shumën e parave në vlerë prej 4500 eurove.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë shumë e kishte dhënë Amonda Orllati, po ashtu e akuzuar në këtë proces gjyqësor, me qëllim që të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë në UP.

Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevludin Beqiri akuzohen se kanë kërkuar e në disa raste kanë pranuar dhurata të ndryshme në para në shuma 150, 200, 350, 400 e deri në 1400 euro.

Pjesë e këtij procesi janë edhe Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, ndërsa Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi akuzohen për ndihmë lidhur me marrje të ryshfetit.

Amonda Orllati dhe Shaqir Reçica akuzohen për dhënie të ryshfetit.

Rajan Zeneli që akuzohej për ndihmë lidhur me ushtrim të ndikimit është liruar nga akuza pasi që vepra për të cilën akuzohej ka arritur vjetrimin.

Disa nga të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale të ushtrimit të ndikimit por që në seancën e 10 marsit të këtij procesi gjyqësor prokurori Ibrahim Berisha konstatoi se është vjetërsuar kjo vepër.

Këtë vjetërsim pastaj e pranoi edhe gjykata, duke hedhur poshtë pikat e aktakuzës që lidheshin me këtë vepër penale.

Sipas aktakuzës veprat u kryen përgjatë viteve 2009 dhe 2012 dhe kishin të bënin kryesisht për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.

http://kallxo.com/vjetersohet-nje-pjese-e-aktakuzes-ne-gjykimin-per-ryshfet/

Shkrimet në KALLXO.com për këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni këtu.