Akuzat e Agim Bahtirit e Xhafer Tahirit, reagon ministri Uran Ismajli

Kryetari i komunës së Mitrovicës dhe ai i Vushtrrisë në një reagim të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e tyre për procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të spitaleve në këto dy komuna.

Në reagimin e dy kryetarëve thuhet se Partia Demokratike e Kosovës po synon dëmtimin e sistemit shëndetësor.

“Qëllimi i PDK-së që përmes ministrit Uran Ismajli të vendosen në krye të Spitalit të Mitrovicës dhe të Spitalit të Vushtrrisë persona që janë anëtarë të subjektit politik PDK, apo edhe familjarë të tyre, e që nuk vijnë nga fusha e shëndetësisë, tregon se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor”, thuhet në reagimin e kryetarëve.

Kryetarët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përmes reagimit të tyre kanë kërkuar rishikimin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve.

“Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asamblist i PDK-së dhe ish-drejtor komunal në dy mandate. Poashtu edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit. Iu bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit që t‘i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ta rishikuar rastin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve të këtyre spitaleve”, thuhet në reagim.

Ministri i shëndetësisë Uran Ismajli u është kundërpërgjigjur sot dy kryetarëve të komunave, duke thënë se konkursi është shpallur nga ShSKUK dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë.

“Bahtiri dhe Tahiri bëjnë mirë të mos përzihen në kompetencat e drejtorit të ShSKUK-së. Ky është presion që bëhet për t’i ruajtur interesat e tyre. Por, i siguroj që të dy, dhe këdo tjetër, se nuk do të ketë dorëzim në luftimin e krimit dhe në qëllimin e mirë që më në fund të kthehet mbarë shëndetësia”, ka shkruar Ismajli në profilin e tij në facebook.

Ndërsa, për  gjendjen e keqe në  sistemin shëndetësor, Ismajli ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“E dijmë të gjithë rrëfimin për shëndetësinë e udhëhequr nga LDK gjatë mandatit të kaluar qeverisës. E kanë shtrirë atë përtokë. E di se do të marrë kohë për ta çuar në këmbë. Por, punët e mira kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë”, ka shkruar Ismajli.