Akuza PDK - LDK për Shkarkimin e Kryeshefit të KOSTT-it

Derisa po diskutohej për raportin e punës së ndërmarrjes Kosst, deputetët e PDK-së e LDK-së u përplasën për shkarkimin e kryeshefit të kësaj ndërmarrje.

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, tha se kryeshefi i ndërmarrjes Kosst, Mustafë Hasani u shkarkua jashtëligjshëm ani pse, sipas tij, ai ishte ekspert i fushës dhe po menaxhonte mirë.

“Vjen qeveria e re i shkarkon jashtëligjshëm tre anëtarë bordi, e po ky bord e shkarkoi jashtëligjshëm kryeshefin, i cili filloi t’ua ndalë shpenzimet enorme”, tha ai.

Rugova tha se uron që ish kryeshefi ta fitojë betejën gjyqësore për këtë shkarkim.

“Ku shkojmë me këtë logjikë anti-ligjore dhe klandestine”, tha ai.

Më pas reagoi deputeti i PDK-së, Elmi Reçica i cili tha se kryeshefin e ka shkarkuar LDK-ja.

“Çështja e shkarkimit të kryeshefit: ata që e përmendën e dinë kush e ka shkarkuar, kush ka qenë kryetare e bordit dhe me iniciativën e kujt është shkarkuar.  Mos t’derdhin lot krokodili këtu”, tha ai.

Reçica tha se të gjithë ata që folin në emër të tij, duke aluduar edhe deputetin Rugova, kanë mundur ta pengojnë shkarkimin e tij.

Më pas Rugova tha se e di kush e ka shkarkuar, por se nuk i interesojnë subjektet politike.

“Ne e dimë kush ka qenë kryetare e bordit dhe jemi vetëkritik. E thash nuk më intereson cilit subjekt i përkasin, kanë menaxhu keq dhe kanë sharku një njeri që ka menaxhu mirë”, tha ai.

Më pas Reçica tha se i rekomandon LDK-së që këtë çështje ta diskutojnë brenda partisë.

“Diskutojeni këtë çështje brenda subjektit tuaj, ju jeni ata që e keni shkarkuar këtë njeri”, tha ai.

Në gusht të vitit 2017 Bordi i Drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) shkarkoi nga detyra kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje Mustafë Hasanin.

Raporti i punës së KOSTT u miratua nga deputetët me 47 vota për.