Aktori komik kryeson në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë

Komediani pa përvojë politike duket se ka fituar numrin më të madh të votave në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.

Sipas BBC-së, anketimet e bëra pas votimeve thonë Volodymyr Zelenskiy ka fituar 30.4 për qind të votave, i ndjekur nga presidenti aktual Petro Poroshenko me 17.8 për qind.

Nëse konfirmohen rezultatet, Zelenskiy dhe Poroshenko do të përballen në rrethin e dytë në muajin prill.

Ish-kryeministrja, Yulia Tymoshenko duket se është eliminuar pasi që ajo ka fituar 14.2 për qind të votave.

BBC citon Ministrinë e Brendshme të ketë njoftuar se në gjithë vendin janë raportuar qindra shkelje zgjedhore.

Emrat e 39 kandidatëve ishin në fletëvotim.

Volodymyr Zelenskiy është i njohur për një shou satirik, ku luan rolin e Shërbëtorit të Popullit, në të cilin portretizon një qytetar të rëndomtë i cili bëhet president pasi lufton korrupsionin.