Aktorët e Teatrit 'Istref Begolli’ qe tre muaj pa paga

Komuna e Pejës nuk ua ka dhënë pagat aktorëve  të Teatrit “Istref Begolli” që nga janari i këtij viti.

Komuna e Pejës u ka borxh tri rroga shtatë punëtorëve të këtij teatri, për muajt janar, shkurt dhe mars.

Zyrtarë të Komunës së Pejës kanë konfirmuar për KALLXO.com se komuna nuk ka arritur t’u paguajë pagat punëtorëve të teatrit për shkaka se pagat e tyre mbulohen nga subvencionet.

Engelbert Zefaj, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe sport, ka thënë për Kallxo.com se punëtorët e teatrit “Istref Begolli” se rrogat  do të dalin nga e marta e ardhshme.

Zefaj ka thënë se shkaka i vonesave të pagave për aktorët e trupës rezidente të Teatri “Istref BEgolli”, është  miratimi me vonesë i Buxhetit të Kosovës, që ka bërë që komuna të mos ndajë rrogat për punëtorët e teatrit.

“Pagat e punëtorëve të teatrit trupës rezidente komuna i mbulon me subvencione, edhe sipas rregullores përkatëse neve na është dashur me pritë miratimin e  buxhetit e Kosovës dhe kur është miratu kemi fillu me procedurat dhe tashme mjetet janë dhe nga e marta punëtorët do t’i kenë rroga e tyre”, ka thënë Zefaj.

Rrogat nuk janë i vetmi problem i Teatrit “Istref Begolli”.

Për muaj të tërë ky institucion vazhdon të mbetet pa drejtor, ndërsa komuna është në proces të emërimit të anëtarëve të rinj të Këshilli Drejtues të këtij institucioni.