Aktivitetet e Muzeut të Kosovës në Ditët e Trashëgimisë Evropiane

Qindra fëmijë të shkollave të Prishtinës i janë bashkuar sot Muzeut të Kosovës për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane.

Për tri ditë më radhë Muzeu i Kosovës do të mbajë aktivitete të ndryshme ku pjesë e tyre do të jenë nxënësit e shkollave të mesme të ulëta të Prishtinës me rrethinë.

“Gjatë këtyre ditëve në më shumë se 11 shkolla, Muzeu do të zhvillojë aktivitete edukative përmes improvizimit të lojërave të ndryshme të cilat mundësojnë kuptim dhe zbërthim të detajuar të vlerës dhe kuptimit te muzeut, eksponateve dhe trashëgimisë kulturore dhe historike”, ka thënë Bislim Bislimi, ushtrues i detyrës së drejtori të Muzeut të Kosovës.

Këtë vit, ka thënë  Bislimi, ka një zgjerim më të madh te aktiviteteve edukative duke qenë se tashmë muzeu ka krijuar një traditë të mirë të hapjes së dyerve për këtë audience që konsiderohet një investim direkt në rritjen e vetëdijes për trashëgiminë kulturore dhe muzeun.