Aktivistja: Të thuhet se Thaçi nuk ka kërkuar korrigjim është ofendim i inteligjencës së njerëzve

Luljeta Aliu, aktiviste ia ka reaguar deklaratave të Ardian Arifajt, Këshilltarit të Presidentit Hashim Thaçi lidhur me qëndrimin e Presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Në një debat lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, në një pikë, Arifaj thotë se Presidenti nuk ka kërkuar korrigjim dhe mohon se Thaçi ka përmendur shkëmbim të territoreve me Serbinë.

Aliu, Drejtoreshë e shoqatës Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi “Inject”, në debatin me mikrofon të hapur u inkuadrua për ta kritikuar Arifajn lidhur më ketë deklaratë.

“Jam shumë e indenjuar me qetësinë dhe lehtësinë e hipokrizisë së Zyrës së Presidentit kur theksohet se nuk ka pasur kërkesë të ndryshimit të kufijve apo korrigjim. Lehtësia me të cilën thuhet kjo është ofendim i inteligjencës për të gjithë neve”, tha Aliu.

Ajo po ashtu ka thënë se Presidentët e Kosovës dhe Serbisë nuk janë të duhurit për të ndërtuar paqe mes dy vendeve.

“Unë besoj se punën më të madhe do ta kishim bë ne si shoqëri në të dy anët me i largu këta dy [ Thaçi dhe Vuçiqi] së pari, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve dhe për t’ia lejuar një shoqërie me forca progresive, me ja lanë në dorë për me ndërtu paqen”, shtoi ajo.

 

Mënyra e vazhdimit të dialogut të ndërprerë Kosovë-Serbi dhe ideja e ndryshimit të kufijve mes këtyre shteteve, ishte temë diskutimi në serinë e fundit të #Debatpernime.

“Shkëmbim i të drejtave, jo shkëmbim i territoreve”