Aktivistët marshojnë drejt Parlamentit serb - Foto: BIRN

Aktivistët serbë përkujtojnë shqiptarët e Kosovës të vrarë nga forcat serbe

Aktivistë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe Gratë në të Zeza marshuan sot drejt Parlamentit serb për të përkujtuar shqiptarët e Kosovës, të cilët u vranë në luftën e Kosovës 20 vjet më parë.

Themeluesja e OJQ-së anti-luftë Gratë në të zeza, Stasa Zajoviç, tha për mediat se gjatë katër viteve të fundit, Serbia nuk ka sjellë padi penale për krime kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Ne gjithashtu duam t’i bëjmë thirrje qytetarëve të Serbisë të mos heshtin për këto krime, të frymëzojnë dhembshuri, empati dhe solidaritet”, tha Zajoviç.

Marko Milosavljeviq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut tha se narrativa dominuese në Serbi nuk përfshin viktima të pafajshme shqiptare, por përqendrohet vetëm tek ato serbe.

“Nuk flitet për varret masive. Kemi pasur 20 vjet heshtje”, tha Milosavljeviq.

Rreth 20 aktivistë shpalosën një banderolë në rrugën qendrore Knez Mihailova të Beogradit me emrat e 744 viktimave shqiptare të cilët u zbuluan në lagjen Batajnica në Beograd në vitin 2001.

Ata në mënyrë simbolike e mbuluan banderolën me baltë, pastaj e pastruan atë dhe e çuan në ndërtesën e Parlamentit serb pranë, së bashku me një banderolë tjetër ku shkruhej “Batajnica 744 – e vërteta e varrosur”. Policia garantoi sigurinë gjatë të gjithë kësaj ngjarjeje.

Eshtrat e civilëve të vdekur shqiptarë janë gjetur në varre masive në katër lokacione në Serbi që nga viti 1999.

Një total prej 744 trupash u gjetën në një qendër stërvitore policore në periferi të Batajnicës në Beograd, 61 në kampin Petrovo Selo, 84 pranë liqenit Perucac dhe 52 në një gurore në Rudnica.

Ata ranë viktima të ofensivës së presidentit Sllobodan Millosheviq kundër shqiptarëve të Kosovës, e cila përfundoi pas 78 ditëve sulme ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999.

Shefi i Departamentit të Sigurisë Publike të Serbisë Vlastimir Gjorgjeviç u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për vrasjen dhe persekutimin e shqiptarëve të Kosovës, përfshirë përfshirjen e drejtpërdrejtë në përpjekjen për fshehjen e vrasjeve.