Aktivistët e VV do të Sillen me Forcë në Gjykatë për Makinat e EULEX-it

Shtyhet për herë të katërt gjyqi ndaj të akuzuarve, aktivistë dhe ish-aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, për dëmtimin e makinave të EULEX-it në vitin 2009.

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk ishin të pranishëm asnjë nga 27 të akuzuarit.

Si pasojë, gjyqtari u detyrua përsëri të bëjë shtyrjen e seancës gjyqësore, këtë herë për datën 1 dhjetor 2015.

Para shtyrjes, gjyqtari tha se për seancën e ardhshme do të lëshoj fletë sjelljeje me dhunë për të akuzuarit.

Aktivistët akuzohen për pjesëmarrje në grup dhe dëmtim të pasurisë së luajtshme.

Aktakuza lidhet me aksionin e 25 gushtit 2009, kur në parkingun e EULEX-it afër stadiumit të Prishtinës, grupi i të akuzuarve me mjete të ndryshme dëmtuan dhe kthyen përmbys makinat e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit.

Aktakuza u ngrit ndaj Glauk Konjufcës, Xhelal Sveçlës, Besfort Berishës, Zgjim Hysenit, Lirim Gashit, Salih Zybës, Rron Gjinovcit, Salih Mehmetit, Naser Shatrit, Bujar Vocës, Kasim Ukës, Arbër Nuredinit, Fatmir Kurtajt, Asdren Pecit, Fatmir Hazirit, Ramadan Deliut, Faruk Dakajt, Frashër Krasniqit, Skënder Merturit, Pajtim Demajt, Flamur Arifajt, Kushtrim Zeqirit, Kujtim Kosumit, Dardan Molliqajt, Skender Blakajt, Blerim Maçastenes dhe Lulzim Xhakës.

Ky gjykim është shtyrë edhe tri herë të tjera.