Foto-ilustrim

Aktakuzë për Mashtrim me Subvencione

Sipas një njoftimi të Këshillit Prokurorial të Kosovës, aktakuza është ngritur kundër: A.S., A.B., I.S, A.S., E.S., V.K., A.P., L.P., Xh.S., Xh.S., L.T., F.H. dhe L.S.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë paraqitur para organit kompetent të dhëna të pasakta lidhur me aplikimin për marrjen e subvencioneve, e që është kusht për marrjen e subvencionit në atë mënyrë që në Suharekë kanë aplikuar për pagesa direkte për vreshtat ekzistuese në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë të Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, duke ia bashkangjitur dokumentet e falsifikuara “Certifikatat e vreshtarit”, gjoja se merren me vreshtari dhe fitojnë nga kjo Agjenci subvencion prej 2 mijë e 700 euro, ndërsa certifikatat rezultojnë të jenë të personave të tjerë.

Me këto veprime, Prokuroria konsideron se të akuzuarit kanë kryer veprën penale mashtrimi me subvencione, për të cilën vepër parashihet dënimi me gjobë ose me burg deri në 5 vjet.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit me dije përdorin dokumentin publik të falsifikuar si origjinal, në atë mënyrë që te zyrtari kompetent i Drejtorisë së Bujqësisë të Komunës së Suharekës, duke ditur se certifikatat e vreshtarit në emër të tyre janë të falsifikuara, ia bashkëngjisin si origjinal aplikacionit për pagesa direkte për vreshtat ekzistuese, me të cilat edhe fitojnë subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Ndërsa, certifikatat rezultojnë të jenë të personave të tjerë.

Të akuzuarit me këto veprime, sipas aktakuzës së prokurorisë kanë kryer veprën penale falsifikimi i dokumentit, për të cilën vepër parashihet dënimi me gjobë ose burg deri në 5 vjet.