Aktakuzë për Korrupsion për Zyrtarin e MTI-së dhe Pronarin e Kompanisë Private

Sipas aktakuzës, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që gjatë procesit të tenderimit sipas projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në vlerë prej dy milionë euro, gjatë vitit 2013  kanë shkëmbyer informacione dhe dokumente lidhur me tenderin në fjalë, duke i përshtatur kushtet dhe kriteret  e tenderit  interesave të kompanisë së të pandehurit Dalipi.

Komunikata e prokurorisë thotë se me të njëjtën aktakuzë, i pandehuri Xhemajl Syla është akuzuar edhe për keqpërdorim të informatës zyrtare pasi që si anëtar i komisionit për vlerësimin e ofertave edhe pse kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, sipas së cilës është obliguar që ta ruaj rreptësishtë fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në procesin e prokurimit, ka dërguar te Luan Dalipi informacione në lidhje me vlerësimin e ofertave, duke e njoftuar për përparësitë e kësaj kompanie krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ngritja e kësaj aktakuze është rezultat i hetimit të përbashkët të një prokurore vendëse të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit ( OLAF).

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami konfirmoi për KALLXO.com se i akuzuari në këtë rast, Xhemajl Syla, është suspenduar nga pozita në ministri një vit më parë.

“Z. Xhemajl Syla ka më shume se një vit që është suspenduar, sipas ligjit, në momentin kur janë hapur hetimet, ndërsa vepra për të cilën ka dyshime ka ndodhur para mandatit tim”, tha ministrja Bajrami.

I akuzuari tjetër, Luan Dalipi është kontaktuar nga KALLXO.com por nuk ka pranuar të komentojë për akuzat pasi tha se nuk është në dijeni për aktakuzën.

13.01.2016

Reagimi i MDA për Aktakuzën

PËRGJIGJE NDAJ DEKLARATËS SË PROKURORISË SPECIALE

 Shfrytëzojmë këtë rast që t’i ofrojmë publikut përgjigje ndaj deklaratës për media të Prokurorisë Speciale të datës 12 janar 2017, lidhur me aktakuzën e ngritur pa asnjë bazë.

Aktaktuza e Prokurorisë lidhet me projektin “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, të financuar nga Bashkimi Europian (i cili është anuluar dhe nuk ka pas kosto financiare as për BE dhe as për Kosovën).Në këtë projekt MDA ka qenë pjesë e një konsortiumi të firmave ndërkombëtare përfshirë: International Development Ireland (udhëheqëse e konsortiumit), Exemplas Holdings Ltd nga Britania e Madhe, Aegean Exporter’s Associations nga Turqia, European Profiles S.A. nga Greqia, si dhe Business Innovation Croatian Agency nga Kroacia.

Është fatkeqësi e madhe që Prokuroria ngritë aktakuzë të pabazuar ndaj personave që kanë denoncuar veprimet e dyshimta dhe potencialisht korruptive gjatë përzgjedhjes së këtij projekti, ndërsa nuk po i ndjek personat përgjegjës. Përveq kësaj, deklarata e Prokurorisë Speciale se: “Ngritja e kësaj aktakuze është rezultat i hetimit të përbashkët të një prokurore vendëse të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF)”, është manipulative. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka mbyllur hetimet për këtë proces dhe me datën 12 korrik 2016 ka njoftuar zyrtarisht MDA, Zyrën e Komisionit Europian në Prishtinë, dhe Prokurorinë lidhur me rezultatet e investigimit. Sipas OLAF: “Bazuar në gjetjet e investigimit, OLAF nuk bënë asnjë rekomandim për veprime të mirren ndaj MDA, duke pas parasysh se hetimi nuk ka gjetur asnjë dëshmi lidhur me MDA për mashtrim apo parregullsi që prek interesat financare apo interesat e tjera të Bashkimit Europian”. (Shih të bashkangjitur Njoftimin Zyrtar të OLAF). Rrjedhimisht, aktakuza nuk ka mund të ngritet bazuar në gjetjet e OLAF apo ndonjë fakti tjetër.

Tash e tutje, faktet dhe dëshmitë do të shpalosen në gjykatë. Besojmë fuqishëm që gjykata do të hudhë poshtë si të pabazuar aktakuzën e ngritur nga prokuroria.

 

MDA

Shënim më 21 maj 2018: Kjo aktakuzë është hedhur me vendim të prerë të Gjykatës së Apelit. Artikullin mund ta lexoni në këtë link.