Aktakuzë për kërcënimin e kryeministrit Haradinaj në emër të ISIS-it

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda, ndaj të pandehurit B.E., nga Komuna e Drenasit, për shkak të veprave penale: “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri B.E., nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i  një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit  në botë në krijimin e shtetit Islamik.

Poashtu, i pandehuri B.E., sipas dosjes së Prokurorisë më 23.08.2018, përmes po të njëjtit kanal  ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10.01.2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Hradinaj me mbishkrim “DO T’JU VIJË FUNDI O TAGUTA SHQIPTAR BI’ IDHNILAH”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”.

Me këto veprime i pandehuri B.E., ka kryer veprën penale  “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.

Gjithashtu, më 11.01.2019, në Drenas në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – DKT në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me ligjin ka mbajt dhe bart në trup një armë të ftohtë –  thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar.

Me këto veprime i pandehuri B.E, ka kryer veprën penale  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte pranuar një kallëzim nga Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës më datën më 12 Janar 2019, kundër të pandehurit B.E. për shkak të kryerjes së veprës penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas kallëzimit penal, e gjithë kjo ka ndodhur me qëllim të frikësimit serioz të popullatës apo që seriozisht të destabilizoj strukturat themelore politike e Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

https://kallxo.com/kryeministri-haradinaj-merr-kercenime-ne-emer-te-isis-it/

.