Ilustrim

Vrasja e policit Demaj,hetimet e prokurorisë zbardhin ndihmësin e grabitjes

Rreth dy muaj pas grabitjes ku mbeti i vrarë grabitësi  dhe polici i cili u mundua ta pengonte grabitjen e degës së NLB bankës në Istog, Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër, U.Metaj (kushëri i Kamer Metaj) për veprën penale të “ndihmës në kryerjen e veprës penale vjedhje grabitqare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri U.Metaj me datën 27 dhjetor të vitit 2018, në filialin e bankës NLB, në Istog, me dashje ka ndihmuar të pandehurin  Kamer  Metaj. (tani i ndjerë), në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë në Pejë, I dyshuari me të ndjerin paraprakisht kishin planifikuar në hollësi grabitjen e bankës në fjalë

“Sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri K.M., merr një pushkë automatike (ASH-78), një revole, një granat dore dhe me pas ja bën me dije të pandehurit U.M., se është gati, i cili merr veturën e të pandehurit K.M., e tipit Golf-4, për ta drejtuar, ndërsa i pandehuri K.M. ulet në pjesën e pasme të veturës, ku gjatë rrugës për në Istog, i njëjti maskon fytyrën, vesh xhaketën e zezë dhe sipër saj pallton me ngjyrë krem, ku me të arritur në Istog, në rrugën “Kadri Keqa”, i njëjti, pasi e fut granatën e dorës në xhepin e palltos, revolen në brez e pushkën automatike nën palltë, del nga vetura, ndërsa i pandehuri U.M., vazhdon rrugën në drejtim të bankës NLB në qendër të Istogut, ku fillimisht e vëzhgon situatën, e pastaj kthehet për në fshatin Shushicë, në pritje për ta lajmëruar i pandehuri K.M. (tani i ndjerë), për të shkuar ta marr të njëjtin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Pejë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.