Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Aktakuzë ndaj zyrtarit të Qendrës për Regjistrim të Automjeteve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit SH.B, nënpunës i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Prizren për pesë vepra penale.

Prokuroria ka njoftuar se i njëjti akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, një vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, një vepër penale të manipulimit me prova dhe një vepër penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, i pandehuri akuzohet për veprën penales “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi që me datë 5 shkurt 2018,  në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij  duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme për regjistrimin e automjeteve me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për personin tjetër, me qëllim të shmangies të shqiptimit të gjobës kundërvajtëse në certifikatën e regjistrimit të automjetit duke shënuar “automjeti posedon xhama të pasmë të errësuar” edhe pse në dokumentet e prodhuesit dhe atë të homologimit nuk shënon se automjeti ka xhama të errësuar.

I njëjti, sipas aktakuzës në periudhën kohore nga 3 tetor 2016, e deri në 18 shkurt 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për dy persona të tjerë, pa i paguar taksat komunale ka vazhduar regjistrimin e katër automjeteve, me ç’ rast u ka mundësuar  personave të tjerë përfitim në shumën prej 330 euro.

Në vazhdim të aktakuzës thuhet se i pandehuri akuzohet për veprën penale “Falsifikim të dokumentit”, për shkak se i njëjti me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar me përmbajtje dhe të dhëna të rreme, duke bërë regjistrimin e automjetit për dy vite edhe pse regjistrimi i automjeteve dhe vazhdimi i tyre bëhet vetëm për një vit.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin edhe për veprën penale manipulim me prova, pasi që i njëjti me datë 18 korrik 2018,  në objektin e QRA në Prizren ka ndryshuar dhe ka hequr printerin  me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të atij sendi si provë në procedurën zyrtare.

I pandehuri edhe pse nuk ishte në detyrë gjatë kohës së pauzës në tavolinën e tij të punës ku ka punuar më herët e ka larguar printerin e markës “Epson” me qëllim që të fsheh provën se nga ai printer është shtypur dokumenti i regjistrimit të automjetit  me përmbajtje “automjeti posedon xhama të pasme të errësuar” .

I pandehuri SH.B, ngarkohet edhe për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike”, pasi që i njëjti  në periudhën kohore gjatë vitit 2017-2018, në objektin e QRA në Prizren në cilësinë e personit  zyrtar në keqpërdorim të pozitës zyrtare  pa autorizim ka ndërhyrë në baza të të dhënave kompjuterike të personit tjetër dhe atë drejtorit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili është vërtetuar pas ekzaminimit në telefonin e të akuzuarit.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.