Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë ndaj Zoran Vukotiqit për Krime Lufte

Sipas aktakuzës, Z.V., për të cilin KALLXO.com mëson se është Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje, ka vepruar në kundërshtim me normat e të drejtës ndërkombëtarë në fuqi gjatë kohës së luftës, duke shkelur nenin 3 (1a) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, po ashtu edhe protokollin shtesë (protokolli II) të kësaj Konvente të vitit 1977.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq ka rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Aktakuza më tej përshkruan se Vukotiq ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

KALLXO.com kishte raportuar për masën e paraburgimit të vendosur ndaj këtij të dyshuari.

Zoran Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016.

http://kallxo.com/paraburgim-te-dyshuarit-per-krime-lufte/