Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës dhe Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës Foto: Facebook

Aktakuzë ndaj shefit të kabinetit të Gazmend Muhaxherit

Prokuroria në Pejë sot ka ngritur aktakuzë ndaj Durim Sheremetit, shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, dhe katër personave tjerë me inicialet G.L., R.Zh., dhe G.Sh., për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe kundër të pandehurit I.K., për veprën penale të mashtrimit.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti ka thënë për KALLXO.com se ende nuk është njoftuar në lidhje me këtë rast.

“Jo, nuk jam njoftuar, ndërsa qëndrimin tim do ta keni kur të jem në dijeni për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë ai përmes telefonit.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Durim Sheremeti akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në Komunë të Pejës, me dashje ka tejkaluar kompetencat e veta, pa qenë i autorizuar, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit, me çka i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9 mijë e 929 euro.

“Të pandehurit, G.L., R.Zh., dhe G.Sh., si persona zyrtar në Komunë të Pejës, përkatësisht anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në vlerën e shumës se lartcekur.”, është sqaruar në njoftimin e Prokurorisë.

Në anën tjetër, është bërë e ditur se i pandehuri, I.K., në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, i ka shkaktuar dëme buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9 mijë e 929 euro.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.”, është thënë më tej nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Gjithashtu, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, sipas Prokurorisë, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihet në barrë.