Numan Baliq - Foto: Atdhe Mulla

Aktakuzë ndaj ish Ministrit të Shëndetësisë për ngacmim të praktikantes

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë për ngacmim seksual ndaj ish ministrit të shëndetësisë Numan Baliq.

Ish ministri Baliq akuzohet se nga muaji gusht i vitit 2018 në vazhdimësi e ka ngacmuar praktikanten e Spitalit Rajonal të Pejës duke i shkruar mesazhe me përmbajtje ngacmimi në telefon dhe duke i dërguar edhe letra.

Sipas aktakuzës, Baliq i kishte dhënë letra me përmbajtje ngacmimi dëshmitares A.K, për t’ia dërguar praktikantes, letra të cilat më pas i kishte lexuar dhe i kishte grisur viktima.

Me këto Ministri dyshohet se ka kryer veprën penale të “Ngacmimit”.

KALLXO.com, në shtator të vitit 2018 kishte raportuar se ish Ministri ishte paraqitur në prokurori për tu marrë në pyetje në lidhje me këto veprime.

Numan Baliq, në një deklaratë për KALLXO.com, i kishte hedhur poshtë këto akuza duke i quajtur shpifje.

“Është një shpifje, nuk ka asgjë materiale. Dyshoj ne do qarqe politike kundër meje”, kishte thënë Baliq për KALLXO.com.

https://kallxo.com/ish-ministri-ne-prokurori-per-tentim-dhunimi/