Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Aktakuzë Ndaj Ish-Kryetarit të Apelit

Bashkë me Mekajn akuzohen edhe Vlora Gorani, por edhe personat me inicialet M.S. e A. S.

Sipas Komunikatës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Mekaj akuzohet për dy vepra të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Komunikata bën me dije se Mekaj njërën nga këto dy vepra penale i kreu kur i premtoi “të pandehurës  Vlora Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi”.

Aktakuza e ngarkon Mekajn se pasi i kishte premtuar Goranit këto veprime, “ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktojë shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës”.

Në kohën kur u arrestua Mekaj, KALLXO.com siguroi disa shkresa të lëndës penale të tij, nga të cilat u zbulua se Vlora Gorani komunikonte me gjuhë të koduar me burrin e saj të burgosur në Dubravë në lidhje me veprimet që do të kryente ish-kryetari i Apelit.

“Maçorri ka me u pa me atë”. Kjo është porosia të cilën e pandehura Vlora Gorani e dërgonte tek burri i saj Fahri D. në qelinë e burgut të Dubravës, shkroi KALLXO.com në korrik të vitit të kaluar.

Prokurorja Drita Hajdari pretendonte se Gorani e kishte emëruar kryetarin e Gjykatës së Apelit Salih Mekajn me nofkën “Maçorri”, ndërsa porosia “që ka me u pa me atë” nënkuptonte se Mekaj do takohej me gjykatësen Lumturie Muhaxheri për të biseduar rreth çështjes së burrit të Goranit, i cili ndodhej në paraburgim për shtytje në vrasje dhe tentim vrasje.

Komunikata e Speciales bën të ditur se Mekaj akuzohet edhe për “përfitim të kundërligjshëm të dobisë për vete apo personin tjetër, përkatësisht për një të afërm të tij, duke u takuar me një të dëmtuar dhe djalin e tij me qëllim që prej tyre të nxjerrë para borxh në shumë prej 200.000,00 €, duke pretenduar se i dëmtuari i ka borxh të afërmit të tij”.

Komunikata shpjegon se pse akuzohet edhe Vlora Gorani.

“Vlora Gorani  me dashje ka shtyrë të pandehurin Salih Mekajn të kryej veprën penale të Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me qëllim që përmes tij ta shpejtoj caktimin e shqyrtimit gjyqësor dhe pastaj edhe ricilësimin juridik të veprave penale për të pandehurin M.S. dhe një tjetër të pandehur në një tjetër rast penal,” sqarohet në komunikatë.

Gorani akuzohet edhe se mori para për t’ia dhënë Sali Mekajt.

sipas marrëveshjes paraprake me të pandehurin M.S. e pandehura  Vlora Gorani  ka marrë nga i pandehuri A.S.  para në shumë prej 20.000,00€, të cilat ka pasur për t’ia dhënë të pandehurit Salih Mekajt, me qëllim që përmes tij të arrijnë lirimin nga paraburgimi për të pandehurin M.S. dhe një të pandehur në një tjetër rast penal.

Sali Mekaj u arrestua në korrik të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/konfirmohet-ndalimi-i-salih-mekajt-per-48-ore/