Aktakuzë ndaj 9 personave për drogë, armë dhe shpëlarje të parave

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër nëntë personave për veprat penale të drogës, armëve dhe shpëlarjes së parave.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se të pandehurit B.J, Sh.H, F.H, P.H, B.B dhe Sh.I, nga data 16 maj të vitit 2018, e deri më 07 tetor të po atij viti, në vazhdimësi, me dashje dhe pa autorizim, kanë transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis (marihuanë).

Duke i ndarë rolet sipas marrëveshjes paraprake, deklaron prokuroria, janë furnizuar nga Shqipëria, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore të kundërligjshme., e me këtë veprim, kanë kryer veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“I pandehuri B.B, nga data e pacaktuar deri më 07.10.2018, në shtëpinë e tij, në kundërshtim me Ligjin mbi Armët, në mënyrë të pa-autorizuar ka mbajtur në posedim armë, revole të tipit Zastava M-57, e kalibrit 7.62 mm, me nr. H-99359, me një karikatorë dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një revole e kalibrit 6.35 mm, me nr. serik 493788, me një karikatorë dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm, si dhe, 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12 mm, të cilat janë sekuestruar nga policia. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.” , thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sa i përket të pandehurit A.A, Prokuroria thotë se më 29 shtator të vitit 2018, ai ka pranuar nga i pandehuri Sh.H, substancë narkotike, në peshë prej 7.6 gram, të cilën e ka vendosur dhe sistemuar në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e shahut ta dërgoi në qendrën korrektuese në Dubravë, tek një person tjetër, i cili është në vuajtje të dënimit.

Me këto veprime ka i dyshuari, ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Në anën tjetër, Prokuroria thotë se i pandehuri Sh.H, që nga data 18 tetor të vitit 2016 e deri më 29 qershor të vitit 2018, në vazhdimësi, ka bartur përfitimin e kundërligjshëm tek i pandehuri A.M., me qëllim të fshehjes, së burimit të pasurisë, në vlerë prej 36 mijë e 875 euro.

Si dhe, në marrëveshje me të pandehurin Sh.B., ka bartur përfitimin e kundërligjshëm, në shumë prej 7 mijë euro.

“Po ashtu, i pandehuri Sh.H, përmes të pandehurve të tjerë, ka përdorur të ardhurat nga aktivitetet e dyshuara, ashtu që nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik, ka përfituar mjete financiare në vlerë të përgjithshme prej 75.500 euro. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Shpërlarje e parasë”. I pandehuri Sh.B., ka pranuar në xhirollogarinë e tij bartjen e shumës prej 7.000 euro nga i pandehuri Sh.H., dhe këtë me qëllim të fshehjes, të maskimit të natyrës apo të burimit së pasurisë së fituar nga aktivitetet e dyshuara nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik, si dhe automjetin BMË 120 D, viti i prodhimit 2008. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Shpërlarje e parasë”.”, është sqaruar tutje në aktakuzë.

Ndërkohë që i pandehuri A.M., ka pranuar në xhirollogarinë e tij bartjen e shumës prej 36 mijë e 875 euro nga i pandehuri Sh.H., me qëllim të fshehjes së burimit të pasurisë, të fituar nga aktivitetet e dyshuara nga veprimtaria e kundërligjshme, konkretisht trafikimi me narkotik, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Shpërlarje e parasë”.

“I pandehuri B.B., nga 12.09.2016 ka në pronësi automjetin IMT 539, viti i prodhimit 2009 si dhe që nga data 12.09.2017 ka në përdorim automjetin Audi A4 2.7 TDI, viti i prodhimit 2008, e regjistruar ne emër të motrës së tij, e nga të gjeturat hetimore nuk ka prova se të njëjtat janë blerë si rezultat nga ndonjë aktivitet i rregullt ekonomik ose burim tjetër i ligjshëm i njohur, por nga të ardhurat e aktiviteteve të dyshuara – veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik. Me këtë ka kryer veprën penale “Shpërlarje e parasë”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale.