Azem Syla në Polici - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë Kundër Azem Sylës dhe të Tjerëve

Prokuroria Speciale njofton se ka ngritur dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Avokati Tomë Gashi e konfirmoi për KALLXO.com se në mesin e të akuzuarve është edhe klienti i tij, Azem Syla, i arrestuar më 29 prill 2016.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave. Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje të mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas PSRK-së, grupi udhëhiqej nga A.S.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Sipas komunikatës së PSRK-së, palët e dëmtuara janë buxheti shtetëror i Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës, të drejtat e të cilëve mbi parcelat e tokës ishin keqpërdorë nga ky grup i organizuar kriminal.

Gjatë këtyre hetimeve, në fund të muajit prill 2016 është realizuar një operacion në kuadër të së cilit u bënë arrestime, bastisje dhe konfiskime të pasurisë.

Udhëheqësi i pretenduar i këtij grupi, A.S., ish-deputet, ishte arrestuar më 29 prill 2016 dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, njësoj si edhe dy të pandehur të tjerë. Tre të pandehur të tjerë aktualisht janë duke i vuajtur dënimet me burgim për shkak të veprimtarive kriminale të mëparshme.

Një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës në fjalë janë konfiskuar përkohësisht në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe tani janë duke u menaxhuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AMPSK). Ky proces ka për qëllim pikë së pari kthimin e tokës në pronësinë publike legjitime të saj.

Këto hetime kanë përfshirë edhe një bashkëpunim efektiv me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Pas këtyre veprave penale kanë pasuar veprimtaritë për pastrimin e parave nëpërmjet bartjes së pronësisë së parcelave të tokës, për ta fshehur origjinën kriminale të këtyre parcelave, si dhe me anë të transaksioneve financiare.

Avokati Tomë Gashi tha se është njoftuar se ndaj klientit të tij,  Azem Syla, është ngritur aktakuza dhe se tani pret që një kolegj i Gjykatës Themelore do të marrë vendim se a duhet ende klienti i tij mbahet në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për seancat e zhvilluara në rastin ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve dhe raportet rreth këtij procesi mund t’i gjeni këtu.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

http://kallxo.com/aksion-gjere-policor-kerkohet-edhe-azem-syla/