Pal Lekaj - Foto: Facebook

Aktakuza Ndaj Pal Lekajt për Asfalt pa Para të Zotuara

Pal Lekaj ka qenë kryetar i komunës së Gjakovës për dy mandate në vitet 2008- 2013 ndërsa tani është shef i grupit parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com ka arritur ta sigurojë aktakuzën në të cilën përveç Lekajt janë përfshirë edhe ish-Drejtori për Buxhet dhe Financa i komunës së Gjakovës, Qazim Mehmeti, dhe ish-Menaxheri i Prokurimit, Nikollë Lleshi.

Sipas kësaj aktakuze Lekaj, Mehmeti dhe Lleshi akuzohen se gjatë muajit mars të vitit 2012 në bashkëkryerje kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie pasurore për vete apo për tjetrin duke i shkaktuar dëme Komunës së Gjakovës dhe banorëve të fshatit Jahoc të kësaj komune.

Akuza më tej sqaron se veprimet e kundërligjshme janë bërë në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve edhe pse nuk ka pasur mjete financiare.

“…në kundërshtim me nenin 9 paragrafi 2 të LPP-se …kishin përgatitur dhe nënshkruar “Deklaratën e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve” në vlerë të parashikuara prej 227.076,00 euro, edhe pse nuk ka pasur mjete financiare të mjaftueshme në dispozicion për këtë aktivitet prokurimi në vlerën e paraparë të tij,…” thuhet në aktakuzë.

Aktakuza sqaron veprimet e zyrtarëve të bashkakuzuar, ku Nikollë Lleshi në cilësinë e Menaxherit të Prokurimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), të Rregullave Financiare dhe Udhëzimeve të Thesarit, udhëzimeve administrative, kishte nënshkruar kontratën me operatorin Ekonomik fitues, NN “Asfalti” shpk nga Peja në vlerë prej 148.435,30 euro, edhe pse nuk ishin zotuar mjetet e mjaftueshme financiare për përmbushjen e detyrimeve që kishin dalë dhe mund të dalin si rezultat i kësaj kontrate.

Seanca fillestare për këtë rast është caktuar me 14 prill 2017 në Gjykatën e Gjakovës

Prokuroria e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Lekajt më 14 shkurt të këtij viti.

Aktakuzë ndaj Pal Lekajt