Enver Hasani, ish-rektor i UP-së | Foto: KALLXO.com

Aktakuza ndaj Enver Hasanit Arrin në Gjykatë

Me këtë aktakuzë do të merret Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës të mërkurën ngriti aktakuzë kundër ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani nën dyshimin se ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ky informacion dje  është bërë i ditur nga Zyra për Informim e Prokurorisë së Shtetit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës – me dashje, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në rastin e kërkesës së Presidentes së Kosovës lidhur me dekretin që kishte të bënte me gjyqtarët ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“…në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur lidhur me rastin KO-155/14, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tre persona,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Emisioni Jeta në Kosovë më 9 nëntor 2014, kishte raportuar për rrugën e cila çoi deri te vazhdimi i mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

http://kallxo.com/sonte-jeta-ne-kosove-afera-zarfi-2/

Dje në një reagim ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese e quajti aktakuzën si hakmarrje dhe arbitraritet.

Në reagimin e tij, Hasani thotë se aktakuza ndaj tij është ngritur pa u intervistuar paraprakisht nga hetuesit.

“As në sistemet më totalitare nuk ngritet aktakuzë pa pasur një deklaratë të të pandehurit. Unë dje kam qenë në polici pa avokat dhe kam dërguar kërkesën që Gjykata Themelore është duke e shqyrtuar qe disa muaj dhe akoma nuk ka verdikt,” ka thënë Enver Hasani.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale edhe pse ndaj Hasanit u ngrit aktakuzë, ai pushoi të ndjerkej penalisht për një vepër penale për të cilën ka qenë duke u hetuar, por prokuroria nuk specifikon se për cilën vepër bëhet fjalë.

Po ashtu, prokuroria ka pushuar hetimet ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, në mungesë të provave për veprën penale falsifikimi i dokumentit zyrtar.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

Enver Hasani po gjykohet edhe për mashtrim kur si ish-rektor i UP-së kishte nënshkruar kontratë për përkthimin e librave në gjuhën shqipe për nevojat e universitetit.

http://kallxo.com/enver-hasani-edhe-sot-para-gjyqit/