Aktakuza: Grupet Guerile dhe Grupi i Dajakut të ‘Syrit të Popullit’

Aktakuza voluminoze e Prokurorisë Speciale të Kosovës përpos që përshkruan në detaje strukturën, përbërjen, planet dhe rregullimin e organizatës “Syri i Popullit”, flet edhe për dy grupe të organizatës: “Grupeve Guerile” dhe “Grupit të Dajakut”.

Mes 79 faqesh të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, në pjesën ku flitet për ekzaminimin e provave të gjetura në 4 USB lidhur me organizatën kriminale “Syri i Popullit”, dhe 10 të dyshuarit si pjesëtarë të kësaj organizate, përshkruhet se Shtabi i Përgjithshëm i organizatës “Syri i Popullit” kishte edhe një rregullore të brendshme ndërsa drejtimi i organizatës përbëhet prej pjesës drejtuese dhe prej asaj ndihmëse.

Sipas aktakuzës, përgjegjësi kryesor është truri i këtij organizimi dhe funksionari kryesor përgjegjës. Ndihmësit përgjegjës kryesorë janë zëvendësi i tij, që është edhe përgjegjësi i operativës, përgjegjësi i grupit politik, përgjegjësi për sigurimin material (logjistika), përgjegjësi për informacion (zbulim-kundërzbulim) ndërsa gjithsej 13 persona e përbëjnë udhëheqjen e këtij organizimi atdhetar “Lëvizja Syri i Popullit”, përshkruan aktakuza.

Vëmendje aktakuza e Prokurorisë Speciale i kushton edhe komponentës që në aktakuzë emërohet si “Grupi Gueril”.

“Grupi gueril organizohet në këtë mënyrë: Secili prej përgjegjësve ndihmësve siguron vet veprimtarinë e tij. Veprimtarët nuk duhet të njohin njëri-tjetrin veç përgjegjësin e vet. Numri i veprimtarëve për çdo sektor varet prej ndarjes gjeografike të territorit ku vepron. Për ta drejtuar më lehtë e në kushte më konspirative, më e përshtatshme është që secili përgjegjës i grupit gueril të ketë disa veprimtarë (të cilët do t’i kryejnë detyrat në terren)”, përshkruhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas Rregullores së “Syrit të Popullit”, në aktakuzën e PSRK-së, grupi politik nuk njihej me grupin e operativës. Përgjegjësi i grupit nuk i njeh anëtarët e vetëm kurse anëtarët e grupit nuk njihen ndër vete.

Ndërmjetësues mes grupit politik e operativës është zëvendësi i përgjegjësit të Shtabit Qendror, përshkruan aktakuza organizimin e “Syrit të Popullit” sipas Rregullores.

Grupet Guerile (GG) siç përshkruan aktakuza kanë nga 4 vetë ndërsa përgjegjësit e grupeve nuk marrin pjesë në operacione por japin detyra-urdhra.

“Avni Rrustemat nuk dinë për njëri tjetrin se janë anëtar të organizatës, i njeh vetëm përgjegjësi i GG-së. Emrat dhe numrat e telefonit i ka përgjegjësi i Shtabit Qendror dhe përgjegjësi i operativës. Në Kosovë janë 36 grupe guerile dhe 1 grup i dajakut”, përshkruan aktakuza e PSRK-së.

Pas fillimit të aksioneve, sipas aktakuzës, GG-të, Grupi i Dajakut dhe veprimtarët do të kishin rroga mujore ndërsa raportimet do të bëheshin prej poshtë lartë ndërsa urdhrat nga lartë poshtë.

Organizata “Syri i Popullit”, sipas aktakuzës, kishte logon, emblemën, betimet dhe vulat.

Betimi bëhej para flamurit kombëtar dhe fotografive të Adem Jasharit ndërsa financimi do të bëhej nga afaristët vendorë kur të krijohen rrethanat si dhe nga mërgata.

KALLXO.com ka sjellë gjatë ditës përshkrimin e strukturës së organizatës “Syri i Popullit”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ngarkon 10 persona  për veprën penale të përgatitjes së veprave penale ose terroriste ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.