Aksioni i Policisë: Zbulimi i Laboratorit të Marijuanës

Në pamjet në vijim mund të ndiqni aksionin e Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotikë për zbulimin të laboratorit të marijuanës në Pejë.

 Xhirimet e aksionit që rezultoi me zbulimin e laboratorit të kultivimit të kanabisit nga fillimi deri në fund u shfaqën në Rubrikën “Policia” të “Drejtësisë në Kosovë”.

Seanca 23.04.2024, Gjykata e Pejës, Foto: KALLXO.com

Rasti i vrasjes së trefishtë në Gllogjan, që ndodhi më 26.11.2021, është duke u gjykuar ende në Gjykatën e Pejës, në Departamentin për Krime të Rënda.

Një autobus me nxënës ishte sulmuar me armë zjarri e të vrarë kishin mbetur dy nxënës 17-vjeçarë L.H. dhe G.M., si dhe shoferi i autobusit G.Gj.

Në seancën e sotme, 23.04.2024, janë dëgjuar dy dëshmitarë të Prokurorisë.

Dëshmitari Gazmend Zeqiraj deklaroi se në natën kritike e kishte dëgjuar një bisedë në mal mes dy personave. Njëri nga ta, sipas tij, kishte ardhur me veturë nga “Kullat e Haradinajve”, kurse personi tjetër kishte qenë i fshehur në ferra.

Biseda mes dy personave që e kishte dëgjuar ishte: “Ku është ai ahmaki?”. Kurse tjetri iu kishte përgjigjur: “U shku me vra Ganinë”.

Dëshmitari tha se nuk i ka parë këta persona por vetëm i ka dëgjuar.

Ai shtoi tutje se “zëri” të cilin e kishte dëgjuar nuk ishte i djemve të Gllogjanit, e për këtë u shpreh i bindur para Gjykatës.

“Qita dy persona që kanë bisedu mes vete, qind për qind nuk janë kanë të Gllogjanit, sa i njoh unë djemtë e Gllogjanit në zë” – tha dëshmitari.

Dëshmitari deklaroi se këtë bisedë e kishte dëgjuar teksa po kthehej në fshat nga Liqeni i Radoniqit, ku kishte shkuar për një shëtitje me qen.

Avokati Arianit Koci, i cili përfaqëson familjen e shoferit të vrarë, e pyeti dëshmitarin se pse nuk kishte deklaruar lidhur me zërin edhe në Polici e në Prokurori, kurse dëshmitari u shpreh se nuk ishte pyetur.

Dëshmitari tregoi edhe për llojin e veturës në fjalë, me ç’rast tha se ishte “xhip i vogël”, kurse kur u pyet se si e kishte identifikuar si “xhip i vogël”, ai tha se e kishte identifikuar nga dritat dhe nga zhurma e veturës.

Pas tij dëshmoi vëllai i vajzës së vrarë në sulmin ndaj autobusit, Granit Mustafaj, i cili deklaroi se e kishte parë të akuzuarin Halil Mehmetaj para dyerve të shtëpsië së tij në natën kritike pasi kishte ndodhur rasti.

“Te lokali është kanë tu u kthy, në atë moment kur është kthy e kam pritë, jam afru te kerri, e ka hapë dritaren jam afru kah ana e shoferit, dhe i kam thanë se: “E kanë sulmu autobusin se Genta u kanë në autobus”. Më ka thanë: “E di, dhe jam në kontakt me mjek, ka me bo ma mirë” – u shpreh dëshmitari para Gjykatës.

Ky rast gjyqësor është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë.

Më 08.02.2024 ishte dëgjuar rrëfimi i nxënëses Andina Bajramaj, tani 19-vjeçare, e cila kishte qenë në autobusin e sulmuar në natën kritike, dhe kishte dhënë përshkrime mbi sulmuesin, por nuk kishte arritur t’ia shihte fytyrën të njëjtit.

Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?

Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H.M., në vitin 2020”, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj., i cili u vra në sulmin kundër autobusit.

Edhe gruaja e shoferit të ndjerë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë së saj.

Për këtë rast janë dëgjuar dëshmitaret Pranvera Halilaj dhe Rozeta Pjetraj, që sipas Prokurorisë vërtetojnë motivin e hakmarrjes të kësaj vrasjeje.

Por, për shkak që këta dëshmitarë kanë rrëfyer detaje nga jeta personale e tani të ndjerës H.M., vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, e nga jeta personale e vetë të akuzuarve, publiku ishte përjashtuar.

I akuzuari Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë, është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.

Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

Në këtë gjykim janë dëgjuar edhe rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.

Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë.

Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.

Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, ku ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Mbi Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë.

Mbi ta rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Akuza përfaqësohet nga prokurorja Sahide Gashi, kurse rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska – anëtarë.