Aksioni i Studentëve Para Kishës

Një grup studentësh nga organizatat studentore të UP-së në orën 13:00 u mblodhën para kishës ortodokse në hapësirën universitare.

Studentët objektin e ndërtuar në kohën e Sllobodan Millosheviqit e konsiderojnë okupues të hapësirës universitare, ndërsa kishin për qëllim të vendosin një pankartë te rrethojat e kësaj kishe që shpjegon këtë gjë.

Policia që rrethoi objektin e kishës nuk i lejon protestuesit t’i afrohen asaj, duke i shtyrë ata në drejtim të kampusit universitar.

Por më vonë studentët arritën ta vendosin pankartën në rrethoja, ndërsa atë e hoqi policia pas pak minutave.

Ndërhyrjen e policisë për të mos lejuar studentët t’i afrohen objektit të kishës e dënoi Lëvizja “Vetëvendosje”.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e dënon ashpër intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët thjesht vendosën një pano prej letre para kësaj kishe,” thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Lëvizja për Barazi-Studim, Veprim, Kritikë, bashkë me organizata tjera studentore paralajmëroi sot një aksion të kundërshtimit të funksionalizimit të kishës së papërfunduar brenda kampusit universitar.

Objekti i kishës dhe hapësira jashtë saj nisi të pastrohet para disa ditësh, ndërsa Inspektorati i Komunës së Prishtinës ndaloi të enjten këto punime.

http://kallxo.com/inspekcioni-ndalon-punimet-te-kisha-ne-kampusin-universitar/

Një grup studentësh kundërshtoi dje pastrimin e objektit të kësaj kishe, duke kërkuar që ajo ose të rrënohet, ose të përshtatet për nevojat e Universitetit të Prishtinës.

Në korrik rreth kësaj kishe ishte kërkuar për varreza masive, por kërkimet nuk zbuluan eshtra të të vrarëve gjatë luftës.

http://kallxo.com/germohet-lokacioni-dyte-afer-kishes-ortodokse/